Kryetari i PS-së, Edi Rama ka thirrur kryesinë e partisë në selinë rozë. Në mbledhje fokusi kryesor ishin zgjedhjet, sondazhet dhe organizimi i fushatës në terren deri më 14 maj.
Në një dalje për mediat, Rama u shpreh se PS do të ketë rezultat për punën që kanë bërë gjatë kësaj kohe.
“Unë besoj që do kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë dhe mbi të gjitha një rezultat që aq sa do të na shpërblejë për punën që kemi bërë, aq do të na motivojë për atë që duhet të bëjmë.
Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe zgjidhur si vend. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë sepse po dalim në një kthesë të madhe e të fortë në planin ekonomik”, tha Rama.
Kryesocialisti foli edhe për Berishën dhe Metën që pavarësisht se e sheh veten të pakrahasuar me ta, sërish ai e ka bazuar fushatën tek këta dy emra.
“Nuk e keni ndjekur me vëmendje atë që themi. Unë s’bëj asnjë krahasim se është ofendim për mua dhe socialistet që të bëj krahasime mes meje , ‘non gratave’ dhe një zorre qorre që është në trupin e Shqipërisë. Unë flas për sot, rrogat po rriten sot dhe siç nuk janë rritur kurrë. Në poster është e ardhmja dhe e shkuara. Kjo nuk ka lidhje me asgjë tjetër. Ne nuk i zgjedhim kundërshtarët tanë, ata i zgjedh vota. Ka një pjesë të shqiptarëve që fatkeqësisht duhet t’i kishin drejtuar me kohë të merreshin me hallet e tyre e të merreshin me drejtësinë. Drejtësia vonon por s’harron e do të veprojë me patjetër. Ajo që më neverit është se këta njerëz kanë arritur të marrin me vete një pjesë të shqiptarëve në raport me miqësinë dhe aleatët tanë. Vërtetë BE s’ka normë të tillë si shpallja non grata por të jeni të sigurt që s’ka derë që nuk hapet askund për ta. Është çmenduri të diskutohet kjo gjë dhe njerëzit duhet të ndahen nga këta se është puna e një fryme, puna e një historie të dhimbshme që duhet patjetër të ndëshkohet nga shqiptarët”, tha Rama. Krteari i socialistëve përsëriti qëndrimin se nuk ka bashkëpunim me kandidatët që dalin nga koalicioni i Berishës dhe Metës. Por pse kryeministri i një vendim mban nje qëndrim të tillë jo ligjor?
“Unë s’kam folur për kandidatë kundërshtarë as për të opozitës, kam folur për kukullat të një çifti ku kemi një non grata. Cilësia e marrëdhënieve dhe natyra e raporteve me Shqipërinë është e aleatëve tanë. Ata e vendosin kur një individ i shpallur non grata mban damkën e personit që është i padëshirueshëm. Kjo e bën të vështirë ndërveprimin. S’është presion, por mënyrë për t’ua thënë drejtpërdrejt njerëzve që do jetë i pamundur bashkëpunimi jo se nuk duam ne po se këta kandidatë s’janë vënë aty për të bërë detyrën, por për të krijuar oaze të luftës politike. Për të ngritur barrikada me qeverinë qendrore dhe për t’i trajtuar qeveritë vendore si pengje lufte. Si Shkodra për shembull, jo se ne nuk kemi dashur, po se këta kandidatë i përkasin një familje të shthurur politike që nuk kanë dashur kurrë që të qeverisin vendin në mënyrën e duhur. Këta kanë sjellë vetëm degradim. Shkodra është i vetmi qytet ku plehrat rrinë në kazan e nuk mblidhen, njëlloj si dikur para se ne ta kishim pastrimin prioritet. Kemi treguar që dimë çfarë bëjmë, jo se kemi bërë gjithçka në rregull por se kemi vullnetin. Vendi ynë s’ka qenë kurrë më i respektuar, më i fuqishëm e më i vlerësuar në rajon por jo vetëm. Siç hoqa unë apendicitin duhet të heqin këtë zorrë qorre “ tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje