Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, që zgjati rreth pesë orë, kryeministri Rama nuk përjashtoi ndryshimet në qeveri.
Kreu i qeverisë u shpreh se në këtë mbledhje u bë një diskutim i gjatë, marrë shtysë nga protesta studentore.
Sipas tij, ky është një moment reflektimi për gjërat që duhen përmirësuar dhe organizuar, duke pasur parasysh boshllëqet që ka lënë opozita.
“Kemi pasur një diskutim të gjatë dhe të dobishëm në kuadrin e një procesi reflektimi që sigurisht merr shtysë nga protesta e studentëve. Është në ADN-në dhe është një shprehje e vjetër që çdo ditë ka gjëra për të përmirësuar. Dhe duke pasur parasysh boshllëkun që la opozita, është një sfidë më vete që të organizohemi në vijim”, tha ndër të tjera Rama.
Gjithashtu, kryeministri u shpreh se pikë diskutimi ishte dhe organizimi i Partisë Socialiste dhe kapacitetin e saj për të shkuar më tej, pas kësaj shkundjeje të politikës nga studentët.
“Folëm edhe për organizimin e Partisë Socialiste si dhe kapacitetin e saj për më tej. Do kemi shumë për të korrigjuar, kemi diskutuar dhe për protestën, arsyen faktorët, pasi studentët shkundën politikën në raport me vetveten. Protesta ka trajektoren e vet, reflektimi ynë do të vazhdojë dhe do të thellohet.
Do shkojmë përtej këtij shqetësimi, pasi ende ka shumë për të bërë. Kemi bërë gabime tonat, gabime bëjnë të gjithë ata që punojnë. Ajo që është e rëndësishme është të mësojmë nga gabimet dhe të shkojmë përpara”, përfundoi Rama.
Gjatë mbledhjes së ditës së sotme, Kryesia e PS ka vendosur për zhvillimin e Kongresit të partisë më 30 mars për të diskutuar rreth zgjedhjeve lokale.
Po ashtu, në mbledhjen e Kryesisë është bërë edhe një analizë e punës organizative të PS në 12 qarqe.
Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka shprehur kritika edhe për FRESSH se pse nuk e kanë informuar për pakënaqësinë e studentëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje