Me anë të një video nga Brukseli, Edi Rama ka zbuluar temat e diskutimit dyorësh me presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen. Nëpërmjet videos pesëminutëshe Rama theksoi se tema kryesore e diskutimit ka qenë konferenca e e Donatorëve e 17 shkurtit për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri. Kjo konferencë do të organizohet në Bruksel nga Komisioni Europian dhe kjo është edhe arsyeja se pse kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një tur takimesh në Itali, Gjermani me qëllim për të bindur shtetet anëtare të Unionit për të kontribuuar financiarisht. Rama e cilësoi si mbresëlënës takimin me Von der Leyen dhe se bisedimet ishin te adresimi i çështjes së post tërmetit që nga problematikat, raportet e dëmeve, që sipas tij po finalizohen me ekspertët e BE-së, të OKB-së dhe të Bankës Botërore për masterplanin për zonën e rindërtimit, kalendarin e detajuar për këtë proces.

Sa i përket fondeve që do të mblidhen nga kjo konferencë e donatorëve të BE-së, Rama theksoi se nuk do të jetë i mjaftueshëm për rindërtimin, por në të njëjtën kohë shtoi se me presidenten e KE-së është rënë dakord që të veprohet edhe pas procesit dhe vendimeve që do të marrë konferenca e donatorëve. “Rindërtimi po të shohim i kalon mundësitë tona. Presidentja ka konfirmuar angazhimin e saj të plotë për të për të mbështetur operacionin e rindërtimit, pavarësisht se e dimë mirë që shuma e mundshme nuk do të përmbushë të gjitha nevojat. Gjithsesi ajo çfarë kemi rënë dakord është që plani të shkojë përtej konferencës, ku kemi rënë dakord për një skenar shtesë”, theksoi Rama.
Sa i përket çështjes së çeljes së negociatave kryeministri theksoi se ka biseduar për një strategji konkrete për çeljen e negociatave dhe se sipas tij, presidentja e KE ishte mjaft e qartë në këtë pjesë. Për shefin e qeverisë shqiptare, vendimi i çeljes së negociatave varet nga debati i brendshëm i shteteve anëtare të BE-së. Rama u ndal edhe minishengeni ballkanik ku sipas tij do të ketë edhe mbështetjen politike dhe financiare të Komisionit Europian. Qeveria nuk e ka hartuar raportin e plotë për nevojat e ndërtimit në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. Paraprakisht shifra u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama në takimin me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio ku theksoi se ajo ishte rreth 1 miliardë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje