Lajme

Rama takim me dekanët dhe rektorët: Do rishikojmë autonominë

Pas nëntë ditësh protestash studentore, Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim urgjent me dekanët dhe rektorët e universiteteve shtetërore në Shqipëri.

Ai tha se drejtuesit e universiteteve duhet të marrin vetë një pjesë të përgjegjësisë, duke u ndalur dhe në kërkesat konkrete të studentëve.

“Të çohen në protestë studentët e universitetit dhe të kërkojnë publikimin e buxheteve dhe shpenzimeve online është fundi. Dhe kjo të rreshtohet tek kërkesat që i bëhen qeverisë, ndërkohë që kjo është jo ‘A’-ja, se “a”-ja mësohet kur shkon në shkollë, por është e para gjë që i bëhet fëmijës kur vjen në jetë. Ja si janë buxhetet, ja si shpenzohen. Disa i kanë, por njerëzit nuk i dinë. Mos mendoni se kam ardhur të shkarkoj përgjegjësitë. Por një gjë dua t’ju them se në leximin tim, protesta e studentëve është një shuplakë për qeverinë, një grusht për opozitën, një shpresë për opinionin publik. Se çfarë është për ju, duhet ta gjeni vetë, s’më takon mua tua them”, deklaroi kryeministri.

Rama ia shkarkuar një pjesë të përgjegjësisë për protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre mbi rektorët dhe dekanët e universiteteve në vend, duke vënë madje në diskutim autonominë e institucioneve të arsimit të lartë publik.

“Vijmë tek tarifat që sigurisht janë përgjegjësi e universiteteve për t’i propozuar dhe përgjegjësi e qeverisë për t’i miratuar. Si ka mundësi që sot studentët nuk e dinë se çfarë janë tarifat. Nuk e dinë se 75% të kostos së tyre e mbulon buxheti i shtetit dhe nga vijnë tarifat.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se ligji i ri për arsimin e lartë i ka dhënë një hapësirë të re autonomie universiteteve. Janë në të drejtën e tyre shumë studentë dhe shumë qytetarë që të mos e kuptojnë se është e pamundur për mua dhe qeverinë që t’i zgjidhin nga lart poshtë disa çështje kyçe, sepse universiteti ka autonominë. Por nëse ka ardhur dita që ju të fshiheni, kur duhet t’i dilni ju përballë studentëve për disa çështje që kanë të bëjnë me universitetin. Nëse ka ardhur dita që ju të shkelni syrin dhe të mbyllni dyert që studentët të dalin në rrugë dhe që trupat brenda të nxisin studentët dhe që t’ia lini rrugës fatin e studentëve dhe të mos merrni pjesë në marrjen e përgjegjësive në një situatë ku përgjegjësia është shumë e qartë atëherë më falni por duhet ta shikojmë autonominë universitare. Mbase ka qenë e parakohshme, mbase ka qenë e nxituar”, deklaroi kreu i qeverisë.

Rama tha se gjithë bordi i administrimit në Universitete duhen shkarkuar dhe të zëvendësohen me persona me profile publike. 

“Kam dëgjuar që bordi i administrimit ka shumicë të zgjedhur nga qeveria. Po, sepse qeveria është financuesi kryesor. Kam kërkuar të di një rast kur në një universitete ka ardhur një propozim për bordin e Administrimit dhe është penguar nga qeveria? Asnjë rast. Qeveria nuk ka penguar asnjë vendimmarrje. S’po them që bordi ka funksionuar mirë, madje them se bordi duhet të shkarkohet i gjithi dhe duhet të zëvendësohen me persona me profile publike. Kam parë specifikime kur dekani kërkon makinë 60 mijë euro. Jam i gatshëm të marr përgjegjësitë e mija dhe shuplakën ndaj qeverisë që ka dhënë kjo protestë. Hera e parë që një protestë mbahet gjallë duke refuzuar zgjidhjen”- tha Rama.

Kryeministri kritikoi rektorët dhe dekanët se se nuk kanë vënë në dijeni studentët për VKM, e cila është miratuar që në muajin maj të këtij viti

“Një pjesë e atyre pikave iu takojnë universiteteve. Iu takojnë juve bazuar në ligjin për arsimin e lartë. Më vjen mirë , që flitet e fundit disa senate janë vënë në lëvizje dhe më vjen keq që kanë adresuar disa deklarata hipokrite. Përpara se sa të hynim në këtë fazë, protesta nisi me një shkak konkret lidhur me një tarifë. Tani, tarifa e provimeve të mbartura është një tarifë e kërkuara nga ju dhe ju këtë as s’mund ta mohoni dhe nuk mund të bëni sikur e keni harruar kur ajo bëhet problem. Ministrja e arsimit në të gjitha rastet ka kërkuar konsensus mes jush. Nuk hyj në meritën e atij vendimi se si dhe ku e keni marrë. Ai vendim që është marrë në maj nuk ka qenë i ditur për studentët dhe është njësoj si Kuvendi të kalojë një buxhet dhe nje paketë fiskale ta kalojë pa e bërë të ditur dhe shteti ti shkojë qytetarit në shtëpi për t’i thënë bjeri këto para se mi ke detyrim”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë