Kryeministri Edi Rama mbërriti rreth orës 19:00 me orën tonë në selinë qendrore të Departamentit të Shtetit në Uashington, për të nisur takimin me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari Blinken, pasi i uroi mirëseardhjen kryeministrit në Departamentin e Shtetit shprehu mirënjohjen për Shqipërinë për strehimin e afganëve dhe bashkëpunimin në NATO, ndërsa tha se dy vendet do bashkëpunojnë në KS për çështje sfiduese.
“Faktikisht ne jemi ulur krah për krah në Këshillin e Sigurimit në OKB. Në Këshillin e Sigurimit ku kemi shumë çështje sfiduese për të cilat duhet të punojmë sëbashku. Më vjen shumë mirë që iu kemi këtu. Pres me padurim që të zhvillojmë një diskutim shumë të mirë”, tha Blinken.
Rama ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka treguar çështjet kryesore që u diskutuan.
“Diskutuam lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, marrëdhëniet bilaterale, diskutuam për rajonin, ecurinë e reformave në Shqipëri. Në tërësi prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie, përfshirë edhe temën e të qenit bashkë në aleancën e NATO-s”.
Rama shpjegoi edhe praktikën e “bashkëpenëmarrjes” në KS mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Është një praktikë kur dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo disa dosje të caktuara dhe SHBA na propozoi ne këtë bashkëpunim, e pranuam me shumë kënaqësi dhe kjo na jep mundësi që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë. Për Ukrainën nuk është një çështje e Shqipërisë por e gjithë botës, e OKB”, tha ai.
Rama ndodhet në SHBA për një vizitë 4-ditore, që nisi me një ceremoni të organizuar me rastin e marrjes nga ana e Shqipërisë së mandatit dyvjeçar si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit.
Rama e vlerësoi këtë si një arritje historike dhe plotësisht të merituar për Shqipërinë.
Ndërkohë, takimi me Blinken mbërrin në një periudhë të trazuar në kampin e opozitës së politikës shqiptare, ku Sali Berisha ka nisur prej shtatorit Foltoren për t’i marrë PD-në Lulzim Bashës, që e akuzon së bashku me Ramën si pjesë “të komplotit që e shpalli atë non grata nga DASH” me akuzën e korrupsionit madhor.
Berisha thotë se ka paditur në gjykatën korrektuese të Parisit Sekretarin e Shtetit, ndërsa deklaron se ai ka marrë një vendim krejtësisht politik e të shtyrë nga George Soros, pa asnjë provë e fakt kundër tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje