Kryeministri Edi Rama u kërkon të gjitha vendeve anëtare të NATO-s që të ndjekin shembullin e Shqipërisë dhe të japin kontributin e tyre në strehimin e refugjatëve afganë që duan t’i largohen regjimit të talebanëve.
Në një koment për Project Syndicate, Rama shkruan se pranimi i këtyre refugjatëve nuk është pa kosto politike, por kërkon që tani të veprohet për të përballuar krizën humanitare.
“Po, ka disa pyetje për atë që po ndodh në Afganistan, pse po ndodh dhe si do ta ndryshojnë të ardhmen ngjarjet aktuale? Na duhet të flasim për të gjitha këto, por tani duhet të veprojmë; duhet të veprojmë së bashku për të shpëtuar sa më shumë jetë që të jetë e mundur. Duhet të mbrojmë vlerat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, që janë përqafuar nga të gjitha vendet demokratike. Kjo do të thotë të mos u kthejmë shpinën njerëzve që po rrezikojnë jetën për shkak se besuan te ne”, thotë ai.
Ai paralajmëron se apatia në këtë krizë që ka shpërthyer do të dëmtojë rëndë imazhin e NATO-s dhe të gjithë botës perëndimore e demokratike.
“Deri pak ditë më parë, anëtarët e NATO-s ishin burimi kryesor i mbështetjes për popullin afgan. Nuk mund të zhdukemi si hije, bashkë me idealet, parimet dhe premtimin e lirisë dhe demokracisë që u bëmë para dy dekadash. Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, e ndërtuar për të mbrojtur këto ideale me kërcënimin e forcës dhe me forcën e shembullit, nuk mund të shndërrohet në një entitet pa shtyllë kurrizore në sytë e popullit afgan dhe miliona njerëzve të tjerë, që aspirojnë të jetojnë të lirë, në drejtësi dhe shoqëri demokratike. Të gjithë ne, komuniteti i vendeve tona duhet të ofrojë shpresë, strehë dhe një jetë të rej për ata që na besuan, punuan me ne dhe luftuan për premtimin për të ardhmen që ne përfaqësojmë”, thotë Kryeministri.
“Dështimi për të vepruar tani, do të thotë t’i kthejmë shpinën vetë historisë sonë dhe të harrojmë se çfarë mësuam nga tragjeditë e shekullit të kaluar. Do të thotë të shpërfillim kujtimin e shumë ushtarave të rënë dhe të fshijmë sakrificat e panumërta të bëra gjatë 20 viteve të gjatë në këtë betejë, ndërsa mizoritë e talebanëve i kujton njerëzimit edhe njëherë tjetër se e keqja nuk vdes kurrë”, vijon Rama.
Shqipëria, thotë Rama, nuk është as e madhe dhe as e pasur. “Nuk është as e shkëputur nga realiteti kompleks i Europës, përfshirë këtu perceptimin si pengesë të emigracionit. E dimë që frika ndaj të huajve ndikon në sondazhe, zgjedhje dhe te premtimet e politikanëve që synojnë t’i fitojnë ato dhe ne respektojmë vendimet e vështira që vendet e tjera duhet të marrin. Por, kur përballemi me zgjedhje jetë a vdekje, ku në mes janë njerëz të cilëve u detyrohemi zgjedhja është e qartë”, deklaron ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje