Politike

Naftëtarët pranojnë ofertën e Ramës: Për pagat shkojmë në Strasburg

Naftëtarët kanë pranuar ofertën e Kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ky vendim është i kushtëzuar nga gjendja e vështirë financiare në të cilën ndodhen dhe se nuk do të thotë tërheqje për shlyerjen e pagave të prapambetura.

“Duke parë gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen kanë pranuar që të kthehet një përgjigje pozitive. Për problemet tona për pagat e prapambetura do të vazhdojë rruga gjyqësore. Duke mos arritur një zgjidhje dje me Qeverinë, e cila ia delegoi këto paga kompanisë private, ne do ta vazhdojmë betejën gjyqësore deri në Strasburg”, deklaroi përfaqësia e naftëtarëve.

Naftëtarët kërkojnë që Qeveria t’u dalë garante për edhe për kompaninë e re që synon të sjellë në rafinerinë e Ballshit.

“Rama le të dali garant për kompaninë që do afrojë për arsye se pas 6 muajsh ne do të dalim përsëri në grevë”, thanë ata.

Kryeministri Rama e përshëndeti menjëherë përmes rrjeteve sociale vendimin e naftëtarëve.

“Jam i kënaqur që naftëtarët e pranuan propozimin e qeverisë. I falenderoj për mirëkuptimin dhe besimin. Tani e ka radhën qeveria të kalojë nga mbështetja parimore në mbështetjen financiare. Pa humbur kohë. Brenda 48 orësh do takohem përsëri me përfaqësinë për të kaluar në veprim!”, shkroi ai.

Mbrëmjen e së hënës, Kryeministri u bëri një ofertë financiare naftëtarëve të Ballshit, por ajo nuk ishte shlyerja e të gjitha pagave të prapambetura, që atyre u detyrohet kompania private.

“Ne kemi arritur që qeveria të marrë përsipër një ndihmë financiare. Nuk mund të jetë paga e punës së tyre por natyrisht do flasim për pagën e asistencës. Nuk është çështja jonë e pagave të prapambetura. Është çështje e kompanisë dhe për vendimin gjyqësor që ato flasin është për kompaninë dhe jo për Qeverinë”, tha Rama.

Pagesa e propozuar nga Qeveria nuk do të jetë në nivelin e pagës së naftëtarëve, por as në nivelin e asistencës sociale. Rama e vlerësoi si ofertë të arsyeshme.

“Është një ofertë e arsyeshme. Do të vendosim në dispozicion një shumë të konsiderueshme, që do të jetë diçka e ndërmjetme mes asistencës dhe pagës së tyre”, tha Kryeministri.

Rama u takua me naftëtarët pasi këta të fundit plotësuan kushtin e vendosur prej tij për të negociuar; daljen nga greva e urisë. Takimi u zhvillua fill pas mbylljes së kësaj greve. Megjithatë, nga takimi me Kryeministrin, përfaqësia e naftëtarëve tha se nuk kishte dalë e kënaqur dhe se do të kthejë shpejt përgjigje për ofertën e marrë nga Qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë