Politike

Rama u përgjigjet kritikave për Ilir Sulin: Ishte lënë pas dore, sportistët do t’i bëjmë kolonelë

Pas ceremonisë së organizuar në nder të Luiza Gegës për titullin që siguroi si kampione Europe në 3 mijë metërsh me pengesa, Kryeministri Edi Rama i kritikua se po shfrytëzonte sportin për propagandë.

Kritikët i kujtuan rastin e peshëngritësit Ilir Suli duke rikthyer në vëmendje një video nga një intervistë e ish-peshëngritësit, ku ai deklaronte se ishte harruar nga shteti.

Rama thotë se gjërat kanë ndryshuar.

“Një video e një kohe të mëparshme kur ai ishte lënë pas dore riciklohet sikur të kishte ndodhur sot. Atëherë këto kanë qenë mundësitë, teksa rrisim mundësitë rrisim edhe progresin, ndërkohë që jemi në vazhdimësi të hapur për t’u përmirësuar”, tha Rama.

Në kuadër të këtij përmirësimi, Kryeministri përmendi projektligjin që Qeveria do të dorëzojë në Kuvend, ku të gjithë sportistëve kampionë do t’u jepet grada ushtarake kolonelë e do ta paguhen sipas kësaj grade.

“Sot kemi një ligj për të propozuar në Parlament për t’u dhënë grada sportistëve kampionë, ku këta do të jenë kolonelë e do të paguhen si kolonelë. Do të punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes në një strukturë mentorësh të ushtarëve dhe oficerëve për t’iu ushqyer atyre frymën e kampionit, dhe shpirtin e fituesit, ambicien”, u shpreh ai.

Kreu i Qeverisë foli gjatë ceremonisë së vlerësimit për boksierin Florian Marku, i cili u nderua me medaljen ‘Ylli i Madh i Mirënjohjes’. Rama tha se Marku ka nderuar Shqipërinë me arritjet e tij.

“Pas kordonit vjen ylli i madh. Vlerësim i lartë që e kemi bërë për një sërë personalitetesh, përfshirë edhe dy ambasadorë të rëndësishëm. Sot e bëjmë këtë vlerësim për një ambasador të shoqërisë që prejardhjen e ka në Kosovë nga gjyshi dhe Myzeqe nga gjyshja”, tha Rama.

Ndërsa vetë boksieri Florian Marku ka treguar vështirësitë që ka kaluar gjatë jetës për të arritur këtu ku është sot. Pavarësisht peripecive dhe ofertave që i kanë ofruar, Marku tha se kurrë nuk e ka hedhur poshtë flamurin shqiptar.

“Nuk jam mësuar me të tilla gjëra, ëndërr që është bërë realitet, të jem këtu dhe gjithë Shqipëri dh të gjithë të më shohin mua s’di ca të them. Siç e keni parë karrierën time kam qenë realisht dhe ashtu do ngelem. Kam lindur në Lushnjë dhe 6 vjeç kemi ikur në Selanik. E nisa futbollin, bëra disa vite, por nuk isha shumë i mirë. Ndërrova sportin, iu futa boksit. Nuk vi nga një familje shumë e pasur, prindërit kanë bërë punë krahu, nëna ime ka qenë pastruese. I kam thënë sa të kalojnë disa vite dhe i kam thënë s’ke për të punuar kurrë sa të jetë djali gjallë. Ajo s’ka nevojë të punojmë më. Ia kam dedikuar jetën këtij sporti. Të çarat janë të vogla, ja kam nisur karrierës në Greqi, se kam hedhur kurrë poshtë flamurin shqiptar. Kam pasur shumë opsione në Greqi, në Austri po shut, katër herë titullin kampion bote në kick boks. Kisha karrierë të suksesshme. I kam operuar duart pesë herë, është sport shumë i vështirë, njerëzit mendojnë se është fat”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë