Politike

Rama: Vaksinat nuk vrasin! Opozita po përhap panik

Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se po përhap panik duke vënë në dyshim vaksinat kundër Covid dhe duke lidhur humbjen e jetës së personave me këtë proces.

“Vaksina nuk është magjike që të mbrojë nga të gjitha sëmundjet. Vaksina mbron vetëm nga armiku i padukshëm (Covid). Nëse dikush ka një sëmundje tjetër, nuk e mbron vaksina. Fakti që ka bërë vaksinën nuk do të thotë se ka vdekur nga vaksina. Vetëm këta xhajgadurët që duan të ngjallin panik për politikë, për një politikë mizerabël në funksion të një qëllimi komplet mizerabël në raport me shëndetin e njerëzve thonë kështu. Është fatkeqësi e madhe, po nuk kemi si e zgjidhim, sepse kundërshtarët nuk i zgjedhim ne”, tha Rama.

Kryeministri vijoi me kritikat për takimet e Lulzim Bashës dhe akuzoi se opozita është aleate e së keqes.

“Nuk bëjmë dot një fushatë elektorale si njerëz të përgjegjshëm?! Si u bëkemi lolo duke sfiduar një armik të padukshëm që nuk do t’ja dijë fare as për trimëri dhe as për sfida të tilla sepse kudo ku gjen shesh bën përshesh?! Është e rëndë që kemi përballë një opozitë, që sapo ndodh diçka, shumë e madhe, apo e vogël bëhet me të keqen kundër zgjidhjes, jo kundër nesh. Bëhen me përmbytjen, me tërmetin, me virusin, duke arritur deri në monstruozitetin sa për të vënë në dyshim vaksinat”, tha ai.

Kryeministri foli gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Bilisht. Ai tha se tërmeti dhe pandemia kushtëzuan qeverisjen normale në mandatin e dytë dhe kërkoi mandatin e tretë për të realizuar ambicien e shpallur prej tij që Shqipëria të jetë destinacioni kryesor turistik në Ballkan brenda një dekade.

Rama solli rastin e Korçës si model për t’u ndjekur në zhvillimin e këtij sektori, premtoi investime të ngjashme në Bilisht dhe Pogradec gjithashtu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë