Politike

Rama: Vendet e punës në administratë janë për ekselentët

Kryeministri Edi Rama në një takim me studentët tha se “Programi Kombëtar i Praktikave të Punës” në kuadër të “Paktit për Universitetin” është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë, pasi ka si qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale.
Ai sërish theksoi se qeveria ka krijuar një marrëdhënie tjetër me universitetin dhe punësimi i studentëve ekselentë do të jetë prioritet parësor i ekzekutivit. Sipas Ramës, ato të jenë pa konkurrim për një vit dhe më pas do i nënshtrohen konkurrimit për ta mbajtur vendin e punës.
“Programi në vitin e katërt ka në fokus zhvillimin e praktikave profesionale te të rinjtë. Pas praktikës, çdonjëri që e kalon këtë proces, mund të futet në konkurrim për një vend pune në administratë. Kemi hyrë në një fazë të re në marrëdhënien mes qeverisë dhe universitetit.
Nga ana tjetër, është krijuar mundësia për futjen e drejtpërdrejtë të studentëve ekselentë në administratë. Sot vendet e punës në shtet janë vende në dispozicion, janë të atyre që kanë mbarur universitetin me nota 9-10. Kjo vendos bazën e një transformimi historik për administratën shtetërore dhe krijon kushtin që çdo kush që ka mbaruar me këtë rezultat të këtë mundësi zgjedhje dhe të hyjë në administratën publike pa konkurs dhe më pas do i nënshtrohen konkurrimit për ta mbajtur vendin e punës”, tha kreu i qeverisë.
Ai u ndal edhe te thirrjet e reja ndaj studentëve për punësim në administratë. Kryeministri tha se po përgatitet një tjetër ftesë për punësim ndaj studentëve të shkëlqyer, ndërsa si afat përcaktoi muajin gusht.
“Do të vazhdojë ky proces, duke rihapur thirrjet për aplikime dhe është bërë një thirrje e re së fundmi dhe një tjetër do të bëhet në gusht”, tha kryeministri Rama.
Nga ana e tyre studentët kanë ndarë shqetësimet rreth praktikës dhe mundësisë së punësimit.
Një studente nga Shkodra, ka ngritur shqetësimin se janë anuluar konkurrimet për vendet vakante të punës. Studentja, e cila kishte përfunduar arsimin e lartë për veterinere tha se ishte njoftuar për konkursin dhe se më vonë i është komunikuar me e-mail se kjo procedurë nuk do të zhvillohet, ndërkohë që në Drejtorinë Rajonale Bujqësore të Shkodrës janë 4 vende vakante.
Kryeministri tha se një nga arsyet është se 4 vendet vakante janë për studentët e ekselencës, të cilat nuk do i nënshtrohen konkurrimit për vendin e punës, pasi e fitojnë në mënyrë automatike.
“Ato vende janë për ekselentët. Sorry nëse nuk je si ata! Ata kanë më shumë avantazhe. Tani nuk e vrasin mendjen se e kanë vrarë për vite të tëra duke ndenjur mbi libra. Ky do jetë një proces i konsoliduar. Në administratën publike do futen më të mirët dhe jo ata që kanë mik. Në këtë segment kohor, avantazhin e kanë ata që janë më të mirët, për herë të parë pas 30 vjetësh”, tha Rama.

Rama risulmon rektorin e UT-së: Universiteti nuk është për tendera

Kryeministri Edi Rama ka shigjetuar sërish rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Konin.
Ai tha se universiteti nuk mund të përdoret për të krijuar tendera, por për t’iu shërbyer nevojave imediate, që kanë të gjithë studentët në Universitetin e Tiranës. Shefi i qeverisë u ndal edhe te vlerësimi i titujve akademikë, ku sipas tij, shumë pedagogë kanë tituj pa asnjë vlerë dhe universiteti nuk ka bërë asnjë hap për cilësimin e tyre.
“Ky është kulmi, që të sigurohet biblioteka dixhitale për studentët dhe që UT që mos ta përdorë dot se nuk ka sistem teknologjik, që lejon përdorimin e bibliotekës dhe studentët të jenë të përjashtuar nga aksesi për shkak se rektori dhe rektorati, të cilët kanë përgjegjësi. Kjo është kulmi. Unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më tepër.
Të gjithë punët e studentëve të mbahen me kopje në dorë sikur të jemi në kooperativën bujqësore dhe më e rënda është se në vend që t’i zgjidhi, rektori ankohet. Ankohet se pse unë e sjell këtë temë në diskutim, por si t’ia bëjmë? Ta mbajmë këtë përgjegjësi edhe ne. Universiteti është autonom, po nuk është thjesht liri për të bërë tendera apo e drejtë për të bllokuar universitetin për tendera, por është përgjegjësi. Duhet një zgjidhje, ndërsa ne kemi propozuar që mos të ndërhyjmë, por realisht është problem”, u shpreh kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë