Politike

Dy kushtet e Ramës për reformën zgjedhore, opozita: Minojnë konsensusin

Opozita e vlerëson deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, që tha ditën e martë se socialistët nuk tërhiqen nga kushti për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe ai për emërimin në Kolegjin Zgjedhor vetëm të gjyqtarëve që kanë kaluar vettingun, si mbyllje e derës për konsensus për reformën zgjedhore.

Përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Politik, Petrit Vasili ka shpërndarë në orët e vona të mbrëmjes së të martës një mesazh në postën elektronike drejtuar të gjithë anëtarëve të Këshillit Politik dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në këtë Këshill.

“Është e qartë se ky qëndrim publik i Kryeministrit është një provokim i rëndë për Këshillin Politik që minon frymën e konsensusit. Këshilli Politik nuk është as zyrë dhe as paradhomë e Kryeministrit. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, pas këtyre deklarimeve të Kryeministrit, kryetar partie të tij, është tashmë në kushtet e pamundësisë së plotë të negociimit dhe të mungesës së plotë të besimit dhe sinqeritetit politik për të ndërtuar konsensus”, shkruan Vasili në mesazhin e dërguar.

Pas këtyre deklaratave, opozita kërkon prej Partisë Socialiste qartësim para se të vazhdojë punën Këshilli Politik.

“Vazhdimi në këto kushte i punës së Këshillit Politik do të ishte vetëm një përmbushje e skenarit të Kryeministrit për zvarritjen e procesit të reformës zgjedhore me qëllim fitimin e kohës dhe vendosjes para faktit të kryer e votimit të njëanshëm të kësaj reforme”, vijon më tej mesazhi.

Vasili i propozon grupit të punës që të shtyhet mbledhja e radhës e Këshillit Politik, e përcaktuar për t’u mbajtur këtë të mërkurë, pasi vlerëson se gjithçka do të ishte thjesht një farsë pa u qartësuar më parë qëndrimi i vërtetë i socialistëve për reformën.

Mesazhi i Vasilit ka gjetur mbështetjen e Oerd Bylykbashit, përfaqësues i PD në këtë këshill.

“Vijat e kuqe si këto që ka vënë sot Kryeministri Rama në lidhje me dy çështje të nxehta të reformës zgjedhore, kur sjellja e tij ka rënduar pikërisht ato fusha problematike, jo vetëm janë krejt pa bazë në rekomandimet e ODIHR, por minojnë procesin politik të reformës, pikërisht në momentin e rinisjes së saj”, thotë ai.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët ditën e martë, Kryeministri Edi Rama vendosi dy kushte të panegociueshme për socialistët në Këshillin Politik. Kushti i parë lidhej me depolitizimin e administratës zgjedhore dhe në vend të përfaqësuesve politikë procesi të menaxhohet nga punonjës të administratës shtetërore.

Opozita është skeptike ndaj këtij propozime dhe thotë se lënia në dorë të administratës shtetërore e procesit është njësoj sikur procesi të menaxhohet vetëm nga Partia Socialiste.

Kushti tjetër i vendosur nga Rama ishte ai për të mos pranuar në përbërjen e Kolegjit Zgjedhor gjyqtarë që nuk kanë kaluar më parë procesin e vettingut. Edhe në këtë rast, Partia Demokratike thotë se praktikisht kjo do të emëronte në Kolegj gjyqtarë të kontrolluar nga mazhoranca.

“Na thoshka se nuk diskutohet që administrata zgjedhore do të jetë krejtësisht jopolitke dhe se Kolegji Zgjedhor do të bëhet vetëm me gjyqtarët që ka përzgjedhur ai me vetingun e tij. Flet pikërisht ai që degradoi komisionet zgjedhore në çeta bashibozukësh politikë më 30 qershor 2019. Rama na propozoka komisione me anëtarë nga administrata publike si gjoja të pavarur, kur ODIHR rekomandon depolitizim të administratës publike. Pa u depolitizuar administrata publike, ky propozim do të thotë kapje e komsioneve zgjedhore nga Rama. Kërkoka edhe që Kolegjin Zgjedhor ta ketë si vulë në xhepin e tij për të vulosur manipulimet e administratës së kapur nga Qeveria”, reagoi përmes rrjeteve sociale, Oerd Bylykbashi.

I gjithë pohimi i Bylykbashit ka marrë mbështetjen e Petrit Vasilit, që përmes një komenti i shkruan: “Plotësisht me vend gjithçka thua”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë