Kryeministri Edi Rama vlerësoi me nota pozitive punën e qeverisë së tij gjatë mandatit të dytë, pavarësisht se në gjysmën e këtij mandati vendi u godit nga dy kriza të njëpasnjëshme, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e Covid.
“Mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë ku tërmeti dhe pandemia diktuan një forcë të pashembullt në ndryshimin e prioriteteve tona qeverisëse. Edhe nuk ka mbaruar pandemia dhe as ka përfunduar rindërtimi, por me të dyja kemi marrë një avantazh të konsiderueshëm. Përtej konsideratave dhe kritikave për menaxhimin e dy krizave do të jetë në gjurmët e historisë së qeverisjes në këto 30 vite”, tha ai.
Pandeminë e fajësoi për mosrealizimin e objektivit të Qeverisë në drejtim të fuqizimit të ofertës turistike, por vërejtjet nuk munguan.
“Pandemia dhe hallet e mëdha që erdhën me të nuk na dhanë mundësinë të fuqizoheshim në drejtim të ofertës sonë turistike dhe do të mbetet më tej për të mbajtur shënim për të rregulluar gjërat që nuk shkojnë, si mbetjet në zonat turistike, administrimi i plazheve, që këtë sezon la shumë pa dëshiruar, por edhe të tjera çështje”, deklaroi ai.
Vërejtje pati edhe për arsimin.
“Edhe për arsimin ka shumë ende për të bërë, na ndan një det i tërë për realizmin e ambicies tonë për një Shqipëri arsimore. Do të merremi me jeten kulturore të fëmijëve tanë. Edukatoret duhet të paguhen njësoj me mësuesit”, tha Rama
Për diplomacinë dhe mbrojten Rama vlerësoi punën në këto 4 vite.
“Në fushën e mbrojtjes dhe punët e jashtme eeputacioni ndërkombëtar i vendit dhe besueshmëria nga aleatët dhe përfshirja e diasporës si asnjëherë më parë në marrëdhëniet me qeverinë dhe seriozitetin që e marrin Shqipërinë në çdo instancë ndërkombëtare nuk kanë asnjë krahasim më vitin 2013, ku sot janë shumë më lartë edhe se 2017”, u shpreh ai.
Rama tha se Qeveria e mbyll mandatin me plotësimin e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave, ndërsa mbrojti nismën “Ballkani i Hapur”.
“Polemikat për Ballkanin e Hapur dhe akuzat e hatashme ndaj qeverisë dhe ndaj meje personalisht si nga Prishtina dhe nga Tirana nuk më shqetësojnë fare. Ka shumë zjarr të ndezur për qëllime politike të ditës, por ne do vazhdojmë para dhe kam besim se me qeverinë e Kosovës do të bëjmë plot punë të mira”, vijoi ai.
Vlerësime dha edhe për bujqësinë. “Kemi dyfishuar tokën që punohet, kemi trefishuar eksportet dhe kemi dalë në vendin e parë në rajon për përthitjen e fondit mbështetës për bujqësinë”, deklaroi Rama. Synimi i mandatit të tretë, sipas tij, është që në 2030 Shqipëria të jetë e paara në rajon për eksporte.
Qeverinë e re Rama tha se do ta prezantojë javën e ardhshme, pa dhënë më shumë detaje. Nga kritikat e shprehura për turizmin dhe arsimin, mund të hamendësohet se dy emra që mund të mos jenë më në kabinet, të paktën jo në postet që janë aktualisht janë Blendi Klosi në krye të turizmit dhe Evis Kushi si ministre Arsimi.
“Fatmirësisht kemi një skuadër kampione, ku ka shumë zgjedhje për çdo rol, dhe kampionati katërvjeçar kërkon jo vetëm një formacion të mirë, një kryesi të mirë të grupit parlamentar, por edhe një stol të gjatë rezervash, për të pasur mundësi energjizimi të skuadrës”, deklaroi ai.
Prioritet i mandatit të tretë, sipas Ramës, do të jetë kthimi i trendit negativ të largimeve në raport me të kthyeri në atdhe dhe investimet madhore në infrastrukturë.
“4 portet e reja turistike, ai i Sarandës ku ka nisur puna, i Vlorës që nis në javët e ardhshme, Shëngjini që është në ende në fazën përgatitore dhe ai në Durrës, janë vetëm një nga blloqet e mëdha të programit konkret të investimeve të huaja që do na mundësojnë rritjen ekonomike”, tha Rama.
Megjithatë, kusht sipas Kryeministrit për zhvillimin ekonomik është reforma në drejtësi.
“Rritja e ekonomisë nuk do të mjaftojë për ta ngjitur Shqipërinë në majën ku duam. Me dixhitalizimin kemi ndërprerë ndërveprimin korruptiv mes individëve dhe personave, me dixhitalizimin e shërbimeve, që do ta çojmë në një nivel tjetër marrëdhënien mes individëve dhe shtetit dhe goditjen e korrupsionit në administratë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje