Nga Vjena, ku ndodhet për punimet e Këshillit të Posaçëm të OSBE-së për krizën në Bjellorusi, Kryeministri Edi Rama komentoi edhe çështjen e detit me Greqinë. Duke iu referuar synimeve të Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në Detin Jon, kreu i Qeverisë tha se ky vendim i Athinës nuk duhet të ngatërrohet me bisedimet mes dy vendeve për të përcaktuar kufirin detar dhe zonat ekskluzive ekonomike.
“Deklaratat e kryeministrit grek për zgjerimin e ujërave të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tanë dhe me marrëveshjen që po punojmë dhe nuk e kemi arritur akoma me palën greke. Shtrirja me 12 milje është një e drejtë e çdo vendi. Shqipëria e ka ushtruar dhe ne jemi shtrirë në ujërat tanë me 12 milje që në vitin 1990”, tha Rama.
Rama kërkoi që të mos krahasohet situata mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe ajo mes Greqisë dhe Turqisë.
“Ajo që po ndodh mes Turqisë dhe Greqisë është një mosmarrëveshje për delimitimin e ujërave territoriale, që ne jemi duke e trajtuar në mënyrë konstruktive, por për të cilën nuk kemi një rezultat përfundimtar dhe dakordësimin e dy palëve”, vijoi ai.
Rama i cilësoi spekulime edhe disa harta që janë publikuar në mediat greke kryesisht, sipas të cilave Greqia zgjeron ujërat territoriale edhe në veri të Korfuzit, deri pranë brigjeve të Vlorës. Kryeministri thumboi edhe Presidentin Ilir Meta, që një ditë më parë siguroi se në çështjen e detit me Greqinë do të mbrojë Kushtetutën.
“Presidenti duhet të informohet mirë dhe të mos ngatërrojë Kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e detit të Greqisë dhe që nuk ka lidhje me Shqipërinë. E përcakton konventa ndërkombëtare dhe nuk prek ujërat e Shqipërisë. Është si puna e kanioneve të Skraparit, ka shkëmbinj nga njëra anë dhe shkëmbinj nga ana tjetër dhe në mes rrjedha ujore. Konventa u ka dhënë të drejtën të dy shkëmbinjve mundësinë që të marrin nga ajo rrjedhë ujore brenda anës së tyre dhe jo të kapërcejnë lumin dhe të kapin shkëmbin tjetër, të marrin milje në mënyrë të barabartë. Shqipëria i ka marrë, Greqia do i marrë. Presidenti të jetë shumë i qetë, se nuk është rasti për të bërë rafting me Kushtetutën, me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe fqinjësinë e mirë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje