Politike

Rama: Zjarrvënësit, tufë barbarësh që duhet të kalben pas hekurave. Gjykatat t’i dënojnë

Kryeministri Edi Rama i quajti “tufë barbarësh që meritojnë të kalben pas hekurave” personat e arrestuar nga Policia gjatë kësaj vere me akuzën e zjarrvënies.

“Nuk mund të rri pa theksuar aspektin kriminal të këtyre vatrave të zjarrit, që në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes së temperaturave dhe barbarisë së atyre që vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë mundimet, përkushtimin e shumë gjeneratave. Tufë barbarësh! Ata nuk meritojnë të jenë të lirë, por të kalben prapa hekurave”, tha Rama gjatë në takimi me emergjencat civile dhe forcat e armatosura që u angazhuan këtë verë në shuarjen e flakëve.

Kreu i Qeverisë madje pati edhe një kërkesë drejtuar gjykatësve.

“Shpresoj që gjykatat të japin vendimet e duhura dhe gjykatësit të jenë në lartësinë e dhimbjes për vlera natyrore të dëmtuara. Këto nuk janë pasuria e askujt por e të gjithëve bashkë. Është një vendim që do japin për fëmijët e tyre. Uroj që këta kriminelë barbarë jo vetëm të kalben në burg, por të japin një mesazh për të tjerët të ngjashë për kur të vijë vera e ardhshme”, shtoi Rama.

Në këtë takim, Rama falenderoi Ambasadoren Yuri Kim dhe Ambasadorin Luigi Soreca për mbështetjen e ofruar në përballimin e emergjencës së zjarreve, ndërsa njoftoi edhe planin e qeverisë për të rritur mbështetjen financiare për punonjësit e emergjencave civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë