Komunitet

Raporti/ Dhuna në Shqipëri mbetet shqetësim, u rrit gjatë pandemisë

Dhuna në Shqipëri vijoj të jetë problem dhe është thelluar akoma më shumë gjatë periudhës së pandemisë, sipas raportit vjetor të publikuar së fundmi nga Organizata për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International (AI).

Organizata e cila raporton mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në 149 vende të botës thekson se pandemia dhe masat e marra për të mbajtur në kontroll infektimet, shtuan më shumë tendencat për keqtrajtimin e grupeve të caktuara të popullatës.

Në kapitullin ku përmendet Shqipëria, organizata ka ngritur dhe shqetësime të tjera, lidhur me lirinë e operimit të medias, kërcënimin e gazetarëve si dhe diskriminimin e grupeve të pakicës.

Raporti vëren se dhuna me bazë gjinore është përkeqësuar. Raporti ka cituar se një organizatë joqeveritare ka regjistruar një rritje të telefonatave për gratë dhe vajzat e dhunuara sidomos në periudhën mars-maj të vitit 2020.

Gjithashtu, raporti ka përmendur edhe abuzimin e një 15-vjeçareje nga roja e shkollës dhe nga tre persona të tjerë në periudhën e qershorit si dhe protestat që u zhvilluan Tiranë me apelin e qytetarëve për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore.

Raporti ka theksuar edhe kërcënimet e Kryeministrit Rama në mars të vitit 2020, për të mbyllur grupe mediatike të cilat ai i akuzonte për “përhapje paniku” lidhur me pandeminë dhe reagimin e gazetarëve me anë të protestës.

 Amnesty International nënvizon edhe faktin që autoritetet tërhoqën ligjin kundër shpifjes i cili kishte shkaktuar reagime dhe polemika të forta si kërcënim ndaj lirisë së medias.

Një aspekt tjetër i trajtuar në raport është dhe diskriminimi ndaj pakicave.

Dokumenti ka sjellë në vëmendje protesta të pakicës rome që nuk kanë përfituar nga ndihma emergjente e qeverisë, pasi kjo ndihmë nuk mbulonte punonjësit e sektorit informal.

Parlamenti, vëren raporti, miratoi një amendament ligjor duke zgjeruar ndjeshëm grupet që do të gëzojnë mbrojtje ligjore nga diskriminimi.

Aspekti i fundit ku është ndalur raporti, është përdorimi i forcës së tepruar.

Ai dënon përdorimin e “forcës jo proporcionale nga policia” ndaj protetuesve që kishin dalë për të kundërshtuar shembjen e Teatrit Kombëtar më 17 maj.

Amnesty International përmend edhe protestat, në disa raste të shoqëruara me përleshje, që pasuan vdekjen e 25-vjeçarit të qëlluar nga policia pasi kishte shkelur orën policore të vënë në kuadër të masave të pandemisë.

Edhe për Kosovën, raporti thekson së dhuna është rritur më shumë gjatë periudhës së karantinës.

Burimi: Amnesty International Report


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë