Politike

Raporti i DASH / Grupi i Berishës kërkon mocion me debat, Balla: Bëjeni sipas procedurës, diskutojmë edhe për Non Grata-n

Deputetët e rreshtuar krah Sali Berishës kanë kërkuar të enjten në Kuvend ndryshimin e rendit të ditës dhe futjen në seancë të kërkesës për mocion me debat mbi raportin e fundit të DASH për Shqipërinë.

“Kërkesa ynë për mocion me debat niset nga fakti që DASH është një nga raportet më të rënda ju do thoni që raportet janë të përvitshme, por si kësaj here rëndesa nuk ka qenë kurrë. Tregon qartazi rrëshqitjen e Shqipërisë drejt një autokracie idiote, theksi i raportit vihet te gjendja e lirisë së medias dhe kapja e sistemit të drejtësisë. Situata është ajo që pasqyron ky raport dhe nuk keni ku fshiheni. Gjyqësori i kapur nga qeveria, sikurse ulëritëse është gjendja e korrupsionit  e lidhur ngushtë me inceneratorët. Raporti përcakton 273 mln euro nga inceneratorët”, tha ndër të tjera Luçiano Boçi.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se kërkesa për mocion me debat pranohet sa kohë që nuk e ka firmosur Berisha porse duhet bërë sipas  procedurës.

“Në kërkesë kanë përjashtuar nga firma krye ‘non grata-n’. Kjo tregon një reflektim në raportin me DASH. Kuvendi duhet ta vlerësojë dhe ta shqyrtojë në procedurë. Nuk kemi përpara një kërkesë për mocion me debat. Nuk ka ardhur një e tillë. Neni 98 përcakton qartë se si vjen kërkesë dhe cilat janë hapat e procedurës. Këtu ka një kërkesë për ndryshim në rendin e ditës për diçka që nuk ekziston. Nëse ju ka ‘çuar nëna për me la gojën’ hajde bëjeni. Por në rast se doni vërtet bëjeni kërkesën sipas procedurës. Edhe ne duam të flasim për shumë gjetje të DASH. Ky Kuvendi duhet të ishte mbledhur për të diskutuar për vendimin e SHBA-ve për të shpallur ‘non grata’ një anëtar Kuvendi. Pra, për mocionin me debat nuk ka pasur një kërkesë dhe s’kemi çfarë votojmë”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë