Lajme

Raporti i “Freedom House”: Shqipëria vend pjesërisht i lirë

“Sfidat ndaj demokracisë në Shtetet e Bashkuara po dobësojnë liritë civile dhe politike në mbarë botën”. Ky ka qenë paralajmërimi i “Freedom House” në raportin e saj për demokracinë në vitin 2019, duke ngritur alarmin për rënien e lirive civile në 68 vende të botës.

“Freedom House, edhe këtë vit e radhit Shqipërinë në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Kosovën , Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën nga rajoni dhe me Pakistanin, Ukrainën, Kirgistanin apo Armeninë. Por raporti nuk përfshin nismën e fundit të qeverisë, paketën antishpifje që synon të rregullojë median online në vend, e kundërshtuar jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve në Shqipëri, por edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare. Këto nisma që janë zyrtarizuar në funddhjetori, pritet të jenë pjesë e raportit të Freedom House” vitin që vjen.

Në raportin e vitit të kaluar Serbia ka qenë në mesin e vendeve të lira, por ka rënë në kategorinë “pjesërisht e lirë”, për shkak të parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe marrjes së kompetencave jokushtetuese nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

Presidenti Aleksandar Vuçiç.

Po ashtu “Freedom House” tërheq vërejtjen në veçanti për Malin e Zi, duke theksuar se Millo Gjukanoviç ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin rreth vetes dhe rrethit të tij politik, duke shkelur standardet themelore të qeverisjes demokratike dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.

Megjithatë, rënia e demokracisë nuk është një problem që paraqitet vetëm për Ballkanin , por edhe për Europën në përgjithësi. Sipas kësaj organizate, dhuna ndaj gazetarëve është një fenomen tejet shqetësues në Europën Juglindore, sidomos në Sllovaki, ku gazetari hulumtues, Jan Kuciak, u qëllua për vdekje, pasi zbuloi lidhje korrupsioni midis zyrtarëve qeveritarë dhe krimit të organizuar.

Raporti vë po ashtu theksin tek Hungaria, dikur e lavdëruar si një histori e suksesshme e tranzicionit postkomunist, e cila është konsideruar po ashtu si një vend pjesërisht i lirë për vitin 2018. Kryeministri Viktor Orbán kryesoi rënien më dramatike të hartuar ndonjëherë nga Freedom House në mes vendeve të Bashkimit Europian.

E njëjta situatë paraqitet edhe në Turqi, ku zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare dhe presidenciale janë zhvilluar nën gjendje të jashtëzakonshme, por edhe pas përfundimit të saj autoritetet “kanë vazhduar të angazhohen me spastrimet e institucioneve shtetërore dhe arrestimet e gazetarëve, anëtarëve të shoqërisë civile dhe akademikëve”.

“Freedom House” thekson po ashtu se Vladimir Putin dhe Ilham Aliyev, presidenti i Azerbajxhanit i kanë siguruar mandatet e reja presidenciale, duke shtypur mediat e pavarura dhe të shoqërinë civile, si dhe persekutuar kundërshtarët e mirëfilltë politikë.

Rënia e demokracisë në SHBA


Raporti i bën një vlerësim të veçantë gjendjes së demokracisë në SHBA, në një kohë kur presidenti Donald Trump është në gjysmë të mandatit. “Fredom House” thotë se në Shtetet e Bashkuara ka pasur rënie të sundimit të ligjit që e ka vënë demokracinë amerikane në një nivel me Greqinë, Kroacinë dhe Mongolinë dhe larg demokracive si Gjermania dhe Britania.

Presidenti amerikan, Donald Trump

“Derisa demokracia në SHBA mbetet e fuqishme, por nga standardet globale, ajo është dobësuar ndjeshëm gjatë tetë vjetëve të fundit nga sulmet e vazhdueshme të presidentit aktual mbi sundimin e ligjit, gazetarinë e bazuar në fakte dhe parimet dhe normat e tjera të demokracisë, të cilat kërcënojnë me rënie të mëtejshme”, thuhet në raport.

“Rreziku më i madh vjen nga fakti se demokracia amerikane nuk është pafundësisht e qëndrueshme, sidomos nëse një president tregon pak respekt për parimet e saj”, thotë Michael J. Abramowitz, president i “Freedom House”. “Ne kemi parë se si institucionet demokratike gradualisht po i dorëzohen presionit politik, si për shembull në Hungari, Turqi dhe Venezuelë. Vendet e tjera shohin se çfarë ndodh në SHBA dhe marrin shembull. Përkeqësimi i vazhdueshëm i demokracisë amerikane do të përshpejtojë rënien e demokracisë në mbarë botën”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë