Nga Gazeta ‘Si’- Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Ambasadori Luigi Soreca, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së, në një deklaratë për mediat, kanë bërë sot prezantimin e Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2023.
Gjatë fjalës së saj, Balluku deklaroi se raporti për Shqipërinë është më pozitivi ndonjëherë dhe se në të theksohet ecuria e mirë e reformave të ndërmarra nga qeveria.
“Me kënaqësi të madhe konstatojmë se ky raporti është më pozitiv i hartuar ndonjëherë për vendin tonë dhe që përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejtë ecurinë shumë të mirë të reformave të thella që ne kemi ndërmarrë dhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit.
Ky raport është një vlerësim real, i drejtë dhe krejtësisht i pavarur i asaj që Shqipëria ka arritur përmes reformave ligjore, institucionale dhe ekonomike, efektet e të cilave janë në sytë e qytetarëve tanë por që marrin një rëndësi edhe më të madhe kur certifikohen nga BE që së bashku me SHBA, janë partnerët tanë kryesorë strategjikë.
Nga korriku i vitit 2022 dhe deri më tani, Shqipëria dhe Komisioni Evropian kanë zhvilluar fazën e parë përgatitore pas çeljes së negociatave, atë të shqyrtimit analitik të BE-së. Sikurse evidentohet edhe në raport, nën koordinimin e kryenegociatores dhe strukturave të reja të reformuara për negociatat e BE-së, institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u angazhuar aktivisht në procesin e shqyrtimit dhe për t’u përgatitur për hapat e ardhshme të negociatave të anëtarësimit”, tha Balluku.
Mandej Balluku iu përgjigj interesit të medias lidhur me marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
“Marrëveshja ka kaluar në qeveri dhe do të shkojë në parlament për t’u ratifikuar. Askush nuk duhet të shqetësohet, as për kornizën juridike të saj. Përcakton në mënyrë të duhur të drejtën e palëve. E konsiderojmë Shqipërinë një shtet europian, e kuptojmë shumë mirë problematikën që ka sot shteti fqinj. Jemi solidar. Na vjen keq që ka politikanë shqiptarë që për arsye të luftës me qeverinë merren me ngjyrën e emigrantëve. Jemi popull që kemi vuajtur në kurriz paragjykimet. Është një rrugë e gjatë, do shkojë në parlament, do e dëgjoni në komisione”, tha Balluku.

Ndërsa Ambasadori i BE në Tiranë pasi bëri një përmbledhje të raportit, u shpreh se Shqipëria ka bërë progres, por duhet të vazhdojë me reformat. Ai deklaroi se synohet që brenda fundit të këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për Shqipërinë.
“Shqipëria është angazhuar aktivisht dhe ka treguar një rang të lartë në procesin analitik. Dua të përgëzoj të gjithë skuadrën për përfaqësimin shumë të mirë të Shqipërisë në negociatat për BE. Objektivi ynë është që të hapim grupin thelbësor nga fundi i këtij viti. Kemi hyrë në pikën kulmore të procesit të negociatave. Shqipëria do ketë mundësinë të tregojë një angazhim të qartë për përparimin e reformave.
Komisioni e njeh që Shqipëria ka vazhduar të bëjë proces në reforma, duke përfshirë reformën në drejtësi. Ne njohim plotësisht rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit jo vetëm në përgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë por Shqipëria mbetet një partner i besueshëm për integrimin në BE”, tha Soreca.

Më tej ai vlerësoi punën e SPAK i cili sipas tij ka arritur hetime serioze në hetimin e disa çështjeve të nivelit të lartë.
Soreca tha se duhet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, ndërsa premtoi se autoritetet e drejtësisë do kenë në krah Bashkimin Europian dhe se sipas tij objektivi kryesor duhet të jetë ndjekja e parave.
“Korrupsioni është një fushë që sjell shqetësime serioze. SPAK ka arritur hetime serioze në çështje të nivelit të lartë. Të vazhdohet me luftimin e kulturës së pandëshkueshmërisë. Autoritetet e drejtësinë do kenë BE në krah të tyre. Ndjekja e parave duhet të jetë objektivi kryesor”, tha Soreca.
Ai kërkoi që maxhoranca dhe opozita të kryejnë së bashku reformën elektorale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje