Në një raport mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, deputetët e Parlamentit Europian u kërkojnë qeverive të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjes dhe Serbisë që të shtojnë përpjekjet në reformat për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Sipas eurodeputetëve, BE duhet të mbështesë këto përpjekje përmes ndihmës financiare dhe bashkëpunimit praktik.
Përshpejtimi i procesit të integrimit
Raporti i miratuar në Komitetin e Çështjeve të Jashtme të PE ditën e martë me 60 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenime thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vende origjine, destinacioni dhe tranziti i trafikut të qenieve njerëzore, shërbejnë si korridor për emigrantët dhe refugjatët, si zonë për pastrimin e parave të pista dhe për trafik armësh.
Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe procesi i integrimit të rajonit në BE janë plotësues me njëri-tjetrin dhe në raport i kërkohet BE që të përshpejtojë procesin e integrimit.
“Në këtë kontekst, izolimi do të nxiste aktivitetet kriminale dhe eurodeputetët i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë pa vonesa të mëtejshme liberalizimin e vizave me Kosovën”, thuhet në raport.
Sipas eurodeputetëve, faktorët kryesorë që i bëjnë të cenueshme shoqëritë në Ballkanin Perëndimor janë mungesa e mundësive për punësim, korrupsioni, keqinformimi, kapja e shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja nga vende të tjera me regjime jodemokratike, si Rusia dhe Kina.
Mungesa e vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar
Raporti shpreh “zhgënjimin” për mungesën e vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar dhe kërkojnë që Ballkani Perëndimor të adresojë plotësisht problematikat në proceset gjyqësore, sidomos zvarritjen e tyre.
Komiteti i Çështjeve të Jashtme thotë se është në dijeni të raporteve dhe akuzave për lidhjet mes politikanëve të nivelit të lartë dhe grupeve të krimit të organizuar, theksojnë nevojën e shkëputjes së këtyre lidhjeve përmes mekanizmave të qartë dhe efektivë dhe hetimit e ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive.
Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar
Lidhjet mes krimit të organizuar, politikës dhe biznesit ekzistojnë prej vitesh në rajon, por eurodeputetët në raport dënojnë mungesën e vullnetit nga organet përgjegjëse në rajon për të hetuar këto lidhje. Në këtë pjesë, raporti bën thirrje për hapjen e dosjeve të ish-Jugosllavisë.
Eurodeputetët theksojnë se është me rëndësi për Ballkanin Perëndimor që të bashkëpunojë dhe shpërndajë informacionet e inteligjencës me vendet anëtare të BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, përfshirë këtu SHBA, Kanadanë dhe Britaninë e Madhe, si dhe me organizata si NATO, apo GRECO-n e Këshillit të Europës.
Raporti mirëpret marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara me Eurojust me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
“Krimi i organizuar dëmton besimin e qytetarëve të institucionet publike. Për këtë arsye është një pengesë madhore në përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor për zhvillimin e ekonomive dhe demokracisë. Megjithatë, BE nuk duhet të përdorë krimin e organizuar si justifikim për të vonuar procesin e zgjerimit, por duhet të qëndrojë në krah të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në luftën e tyre kundër krimit të organizuar”, deklaaroi eurodeputeti Lukas Mandl.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje