Politike

Raporti ILDKPI për pasurinë e zyrtarve pritet me lavde në Kuvend, por s’ka hetime për figurat publike

Raportimi vjetor i kryetares së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë para Komisionit të Ligjeve ishte më i qetë dhe i shkurtër në kohë se raportimet e SPAK dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.

Kryetarja Evgjeni Bashari mori përgëzime si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita për punën e bërë, me dallimin e vetëm që nga mazhoranca përgëzimet ishin pa rezerva, ndërsa nga opozita ishin më të rezervuara e moderuara.

Nga mazhoranca, Damian Gjiknuri ngriti shqetësimin e vetëm se shumë subjekte të vetëdeklarimit dhe kontrollit të pasurisë përfundojnë të linçuar në media prej plotësimit të gabuar të formularëve dhe nxiti Inspektoriatin që të krijojë ndihmojë subjektet në plotësimin e këtij formulari. Nga opozita, interesimi i Enkelejd Alibeajt lidhej me rolin e ILDKP në procesin e vettingut.

LEXO EDHE:
– ILDKP mbledh 9mln lekë nga gjobat për mosdeklarim pasurie. Gjobiten edhe zyrtarë
– Sinjalizuesit, 608 njësi raportojnë në një vit vetëm 6 raste të dyshuara për korrupsion

Të dyja palëve, kryetarja e Inspektoriatit iu përgjigj me nevojën për të rishikuar nivelin e pagave për punonjësit e institucionit si dhe miratimin e një projektligji që është depozituar në Kuvend prej tyre, që sipas Basharit thjeshton procedurat e vetëdeklarimit.

“Ligji aktual është vlerësuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë si shumë i ndërlikuar dhe i pakuptueshëm, prandaj si komision përgjegjës kërkojmë bashkëpunimin që të kalojmë projektligjin që kemi depozituar”, tha ajo.

Sa i takon raportit, ILDKPI gjatë vitit 2021 ka administruar 4032 deklarata, nga të cilat ka kaluar për kontroll të plotë 802 të tilla. Megjithatë, të referuara në prokurori për ndjekje penale përgjatë vitit të kaluar janë vetëm 16 raste.

Ligji për sinjalizuesit i jep një rol aktiv ILDKP për trajtimin e ankesave për raste të dyshuara si korruptive në institucionet shtetërore qendrore e vendore. Raporti i paraqitur në Kuvend thotë se për 2021 ka marrë 199 sinjalizime, nga të cilat vetëm tre ka trajtuar. Rasti i parë lidhej me Bankën e Shqipërisë, ku ka vendosur mosfillimin e procedurës së hetimit administrativ pasi sinjalizuesi është tërhequr.

Rasti i dytë lidhet me Bashkinë e Tiranës, ku janë regjistruar 6 raste sinjalizimesh, për të cilat thotë se ka kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe rasti i tretë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ku raportohen dy raste sinjalizimi për të cilat deklaron se janë marrë masat për nxjerrjen përpara përgjegjësive të personave të gjetur në shkelje të ligjit.

Por, Inspektoriati kritikohet për shkelje të ligjit sa i përket transparencës. Një analizë e Institutit të Studimeve Politike vëren se Inspektoriati ka dështuar në krijimin e standardeve të transparencës dhe llogaridhënies, si dhe nuk heton pasurinë e zyrtarëve të lartë publikë.

“Ende asnjë zyrtar i lartë publik nuk është subjekt hetimi dhe vendimmarrje shteruese, si për pasurinë ashtu edhe për rastet e konfliktit të interesit”, thotë Institutit.

Apatia e Inspektoriatit në këtë drejtim është mbështetur edhe nga roli pasiv i Kuvendit, që nuk ka ushtruar përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor për të zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë