Politike

Raporti në PE, Balla: Debati politik nuk po i shërben vendit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla pati një komunikim me eurodeputetin Tonino Picula lidhur me raportin e miratuar për Ballkanin Perëndimor në PE.

Balla dha një qëndrim të përgjithshëm, duke folur edhe për disa qëndrime të ndryshme që kish pasur gjatë hartimit të raportit.  

“Dokumenti i Parlamentit Evropian evidenton me meritë suksesin e Presidencës kroate për të rikthyer dinamizmin në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor dhe në këtë aspekt vendimi i marrë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut merr vëmendjen e veçantë, si një nga arritjet më të prekshme dhe domethënëse gjatë kësaj Presidence.

Megjithëse kjo nuk është një rezolutë specifike për Shqipërinë, përshëndes njohjen e rëndësisë që ka vendimi për negociatat që sikurse evidentohet në raport, ndonëse i vonuar është i mirëpritur edhe nga Parlamenti Europian. Po ashtu edhe njohja e progresit të Shqipërisë në marrjen e këtij vendimi të merituar, na shton përgjegjësinë për të mos kursyer asnjë përpjekje për t’u ulur sa më parë në tryezën e bisedimeve”, shkruan Balla.

Kreu i grupit parlamentar i PS-së nënvizon se gjatë procesit të negocimit të rezolutës, ka pasur edhe qëndrime të ndryshme me atë të reporterit.

“Një nga këto amendamente, e propozuar nga grupi i partive popullore, që ka marrë mbështetje në një numër pak më të madh se gjysma e deputetëve të PE, i referohet dhe interpretimit të elementëve të vendimit të Këshillit për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Me gjithë angazhimin tonë për të adresuar këto elementë dhe përtej detyrës së plotësimit të kushteve në Bruksel, nxitja politike e debatit nuk i shërben vendit”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë