Politike

Raporti: Shteti i padrejtë me shpronësimet, Strasburgu do të na ndëshkojë

Shteti shqiptar nuk ka zënë mend nga gjobat e majme të vendosura nga Gjykata e Strasburgut për shpronësimet arbitrare dhe edhe përgjatë 2021-it nxorri me forcë dhe prishi banesat e dhjetra familjeve në kundërshtim me të drejtat e njeriut, Kushtetutës dhe ligjeve të tjera të vendit.

Në këtë përfundim del Avokati i Popullit në raportin vjetor të punës së këtij institucioni. Sipas raportit, institucionet shtetërore kanë abuzuar me shpronësimin për interes publik dhe shpesh nuk është respektuar parimi i proporcionalitetit.

“Pothuaj në të gjitha rastet, konstatohet se organet e administratës shtetërore sillen “në mënyrë arbritare” me titullarët e së drejtës së pronës/pronarët por edhe poseduesit, duke qenë se i zhveshin këta të fundit nga e drejta e pronësisë dhe nuk i dëmshperblejnë/kompensojnë paraprakisht, kundrejt një shpërblimi të drejtë dhe brenda afateve ligjore”, thuhet në raport.

Sipas Avokatit të Popullit, koncepti i shpronësimit dhe i dëmshpërblimit nuk mund të kufizohet vetëm për shtëpitë e legalizuara, por duhet të shtrihet edhe te ato që kanë aplikuar për legalizim, por nuk kanë marrë një përgjigje për shkak të vonesave të shkaktuara nga zvarritja dhe burokracitë e vetë institucioneve shtetërore.

Avokati i Popullit paralajmëron se në të ardhmen këto vendime arbitrare të organeve shtetërore mund t’u kushtojnë taksapaguesve gjoba të majme në Strasburg.

“Gjykata e Strasburgut ka bërë të qartë se, e drejta për strehim përfshin edhe rastin e godinave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme ose që iu mungon dokumenti i pronësisë. Thelbi i konstatimit të gjykatës ishte që autoritetet shtetërore nuk shqyrtuan faktin nëse prishja e shtëpive të ankuesve ishte në përputhje me parimin e proporcionalitetit, para se të vijonin me prishjen e objekteve. Institucionet shtetërore gjatë veprimtarisë së tyre administrative duhet të kenë parasysh dhe t’i referohen këtyre vendimeve të cilat ndër vite kanë rënduar buxhetin e shtetit dhe për pasojë atë të shtetasve shqiptarë”, thotë raporti.

Raporti gjen edhe mungesë transparence, madje edhe të informacioneve bazike për hartat kadastrale, adresat e pronës, emrat e pronarëve dhe vendimeeve të tjera të Qeverisë e gjykatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë