Politike

Raportuesit e KE-së në Shqipëri: Korrupsioni dhe mjedisi mediatik ende problematika kryesore

Nga Gazeta “SI” – Raportuesit e Këshillit Europian në Shqipëri, vlerësuan progresin në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, por theksoi nevojën e zbatimit të politikave të qëndrueshme për të arritur rezultate të prekshme nga shoqëria shqiptare.

Joseph O’Reilly dhe Asim Mollazada janë dy raportuesit e KE-së, vlerësuan zgjatjen e mandateve të organeve për vettingun e gjyqësorit të Shqipërisë, pasi sipas tyre tregon nevojën e vazhdueshme për këtë procedurë. Por ata nënvizojnë se fakti që Shqipëria ka ende rezultate shumë të ulëta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International dhe paraqitet me rënie për vitin 2021, tregon se korrupsioni po “këmbëngul” në Shqipëri.

“Është nevoja që të gjithë aktorët të shtojnë përpjekjet e tyre në luftën kundër këtij kërcënimi për funksionimin e Institucionet demokratike të Shqipërisë”,- thanë raportuesit.

Pavarësisht progresit në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike, mjedisi mediatik mbetet një shqetësim për raportuesit. Duke vlerësuar se qeveria nuk synon të ndjekë më paketën e diskutueshme të shpifjes, ata kërkuan që këto amendamente të ligjit për mediat të hiqen tashmë zyrtarisht nga rendi i ditës së parlamentit pasi vazhdojnë të jenë të varura si “shpata e Damokleut”. Në të njëjtën kohë, ata u kërkuan mediave shqiptare të krijojnë një sistem të duhur të mekanizmave vetërregullues për të forcuar raportimin etik.

Raportuesit përshëndetën faktin që opozita është kthyer plotësisht në parlament që prej vizitës së tyre të fundit. Megjithatë, ata shprehën shqetësimin për vështirësitë brenda partisë kryesore opozitare dhe rrezikun e përhapjes në mjedisin politik kombëtar, “që mund të minojë funksionimin pluralist të institucioneve demokratike të vendit.”

“Të gjitha demokracitë kanë nevojë për një opozitë që funksionon mirë për të siguruar një sistem të duhur kontrollesh dhe balancash. Ndaj i bëjmë thirrje Partisë Demokratike të kapërcejë mosmarrëveshjet e brendshme dhe të luajë rolin e saj të rëndësishëm në qeverisjen e vendit. Në këtë duhet të përfshihen të gjitha palët”,-theksuan ata.

Së fundi, raportuesit vlerësuan shoqërinë multikulturore dhe fetare të Shqipërisë, si dhe dominimin e grave në kabinetin e Shqipërisë, duke nënvizuar rolin e spikatur që ata luajnë në jetën politike të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë