Britania e Madhe, në një eksperiment që po ndiqet nga e gjithë bota, vendosi që të heqë të gjitha kufizimet Covid në fund të verës, duke shpresuar se imuniteti i krijuar nga vaksinimi dhe nga infektimet do ta mbante virusin larg.
Tre muaj më vonë, përvoja britanike tregon se në dritën e përballjes me variantin mjaft ngjitës Delta, imuniteti i tufës është eluziv. Rastet e reja dhe vdekjet janë rritur fort javët e fundit, teksa dimri po troket. Mësimi i nxjerrë: Mbështetja te imuniteti, që gjithsesi nuk është perfekt dhe fillon e zbehet me kalimin e kohës, nuk garanton një fitore të shpejtë mbi Deltën.
“Kufizimet u hoqën me shpresën se vaksinimi dhe imuniteti natyral do të ndihmonin shpejt për ta fituar këtë betejë. Numrat sot na tregojnë se vetëm këto nuk mjaftojnë”, thotë Tim Spector, profesor i epidemiologjisë gjenetike në King’s College të Londrës.
Të mërkurën e kaluar, Qeveria britanike dyfishoi energjitë te vaksnimi, duke e bërë atë armën kryesore te mbrojtjes, duke deklaruar se për momentin nuk e shihte të nevojshme prezantimin e masave të tjera kufizuese, si maskat, apo dokumentet që tregojnë vaksinimin e qytetarëve, që disa mjekë dhe shkencëtarë thonë se janë të nevojshme.
Kur Qeveria hoqi detyrimin për mbatjen e maskës dhe distancimin fizik në Angli, më 19 korrik, numrat e lartë të vaksnimit dhe më parë shifrat e larta të të infektuarve lexoheshin si imunitet i lartë në popullatë.
Në atë kohë, më shumë se gjysma e popullsisë së Britanisë së Madhe ishte vaksinuar plotësisht, ndërsa tani kjo shifër ka shkuar në rreth 70 për qind. Një pjesë e popullsisë kishte imunitet natyror për shkak se e kishin kaluar sëmundjen më herët. Një studim tha se rreth 90 për qind e personave mbi 16 vjeç kishin antitrupa nga virusi, të krijuar qoftë nga vaksnimi, qoftë nga infektimi.
Kryeministri Boris Johnson vuri bast te “muri i imunitetit”, që do ta mbante virusin nën kontroll. Deri në një farë mase e mbajti. Gjatë verës Britania nuk raportoi rritje të fortë të rasteve të reja, por ata as ranë në mënyrë të ndjeshme, duke u luhatur mes 25 mijë deri në 40 mijë rasteve ditore nga gushti në shtator.
Tani, rastet po rriten sërish. Të enjten e kaluar, autoritetet raportuan mbi 50 mijë raste të reja, shifra më e lartë që prej muajit korrik. Rastet u rritën në javën e fundit me 18 për qind në krahasim me një javë më parë.
Mesatarja ditore e të infektuarve shkoi në 667 persona për 1 milionë banorë sipas Universitetit të Oksfordit. Shifra është shumë e lartë krahasuar me 80 raste për 1 milionë banorë në Francë dhe 147 raste po për 1 milionë banorë në Gjermani, që të dyja vende që kërkojnë dokumentet e vaksinimit dhe kanë në fuqi disa masa kufizuese. Në përpjekje për të përforcuar imunitetin, muajin e kaluar Britania vendosi që të ofrojë doza përforcuese për personat mbi 50 vjeç dhe për kategorinë e atyre me probleme shëndetësore.
Shtrimet në spital u rritën me 10 për qind vetëm në javën e kaluar. Vaksinimi ka reduktuar ndjeshëm rrezikun e vdekjes. Rastet ditore fatale nga Covid janë mesatarisht rreth 2 persona për 1 milionë banorë, katër herë më poshtë se shifrat e janarit, kur numri i të infektuarve ishte në të njëjtat nivele.
Megjithatë, numri i vdekjeve në Britani është rreth 4 herë më i lartë se ai në Francë, ku mesatarja është 0.47 persona për një milionë banorë dhe rreth tre herë më i lartë se në Gjermani, ku mesatarja është 0.82 për një milionë banorë.
Epidemiologët thonë se mungesa e kufizimeve, zbehja e imunitetit nga vaksinat, një fushatë e ngadaltë vaksinimi, numrat e lartë të të pavaksinuarve në radhët e fëmijëve, ftohja e kohës dhe përqëndrimi i aktiviteteve në ambiente të mbyllura dhe faktorë të tjera po kontribuojnë në rritjen e fortë të infeksioneve në Britaninë e Madhe.
Pavarësisht nisjes së fortë, programi britanik i vaksinimit tashmë është pas programeve në disa vende të tjera të Bashkimit Europian. Shkak është mungesa e interesit dhe refuzimi nga të rinjtë. Mbi 90 për qind e personave mbi 60 vjeç janë vaksinuar, por kjo shifër bie në 70 për qind në grupmoshën nën 35 vjeç. Kjo grupmoshë është edhe më e prirur për të marrë pjesë në vendet publike, të mbyllura ose te hapura me shumë populli, siç janë stadiumet. “Kjo do të thotë se këta janë kontribuesit kryesorë në përhapjen e virusit”, thotë Bill Hanage, profesor i epidemiologjisë në Universitetin e Harvardit.
Fenomeni mund të luftohet nëse vaksinohen adoleshentët, por progresi në këtë drejtim është i ngadaltë. Më pak se 15 për qind e atyre nën 16 vjeç kanë marrë të paktën një dozë vaksine përgjatë të gjithë muajit tetor.
Shumë të rritur të vaksinuar kanë një formë imuniteti natyror për shkak të infektimit në të shkuarën, por është e paqartë nëse ky imunitet ofron të njëjtin nivel, apo zgjat po aq kohë sa imuniteti i siguruar nga vaksina. Edhe mes të vaksinuarve imuniteti po zbehet, duke rritur rastet e reja të infeksionit.
Një studim i fundit i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Britaninë e Madhe zbuloi se për vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca, mbrojtja ndaj shfaqjes së simptomave të Covid kulmon në javët e para pas dozës së dytë dhe fillon zbehet brenda pesë muajve, nga 69.7 në 47,3 për qind.
Më shqetësuese janë të dhënat e këtij studimi që thonë se zbehet edhe mbrojtja për rastet që kanë nevojë për trajtim spitalor. Në rastin e Pfizer, mbrojtja bie nga 99.7 në 92.7 për qind brenda pesë muave, nëse në rastin e AstraZenecas, ajo bie nga 95.2 në 77 për qind po për të njëjtën periudhë.
“Jemi duke ndjekur rastin britanik për të kuptuar se nëse arrijmë ato nivele vaksinimi, a na ofrojnë vërtet mbrojtjen për të cilën shpresojmë”, thotë Lauren Ancel Meyers nga Universiteti i Teksasit. Në SHBA, rreth 57 për qind e popullsisë është e vaksinuar.
Meyers dhe të tjerët thonë se në një kohë që vaksinimi ul ndjeshëm rastet e rënda të infeksionit, ai nuk parandalon infektimit. Kjo, sipas tyre nënkupton se masa të tjera janë të nevojshme, si mbajtja e maskës e distanca fizike, që mund të kërkohen në periudha të caktuara për të mbajtur rastet e reja sa më të ulta.
Megjithëse vaksinimi ka ulur ndjeshëm vdekjet në Britaninë e Madhe, ato sërish mbeten rreth tre herë më të larta se mesatarja e vdekjeve nga gripi, ku mesatarisht humbin jetën rreth 15 mijë persona, ose 40 persona në ditë nëse shpërndahen përgjatë të gjithë vitit.
“Ata që thonë se mund të bashkëjetojmë me virusin kanë për detyrë që të na shpjegojnë se çfarë duan të thonë me këtë? Sa vdekje janë të gatshëm që të pranojnë?”, thotë Martin McKee, profesor i shëndeti publik në London School of Hygiene.
Ekspertët thonë se perspektiva e imunitetit të tufës duket e pamundur në Britaninë e Madhe me këto nivele infektimesh të reja. Imuniteti nuk mund të jetë as një objektiv fiks, sepse varet nga tre faktorë; transmetueshmëria e virusit, niveli i imunizimit në popullatë dhe shkalla e ndërveprimit të njerëzve. Nëse imuniteti rritet me vaksinimin, mund të mjaftojë për të ulur rastet e reja, por nëse njerëzit ndërveprojnë më shumë kurba mund të lëvizë në krahun tjetër.
Gjithsesi, epidemiologët janë optimistë se diçka e përafërt me imunitetin e tufës mund të arrihet, të paktën në disa zona dhe të paktën në disa periudha të caktuara kohore. Kur kjo balancë prishet, atëherë maskat dhe distancimi fizik mund të aktivizohen për ta ulur kurbën.
“Nuk do të arrijmë dot që ta eleminojmë fare Covid, apo vdekjet e shkaktuara prej tij. Por, ne mund të vendosim deri në një fazë për masën e pengesave që do t’i vëmë në rrugën e tij”, thotë profesori i Harvardit, Hanage.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje