Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor vendosi të enjten që të shpallë të pavlefshme zgjedhjet vendore në Bashkinë e Rrogozhinës dhe urdhëroi ripërsëritjen e tyre për zgjedhjen e kryetarit të ri të Bashkisë.
Vendimi u mor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për njohjen e tyre.
Kolegji shpalli të pavlefshme vetëm një kuti atë të burgut që përmbysi rezultatin ndërsa Sali Berisha e kontestoi një ditë më pas vendimin me argumentin, se nuk mund te përsëriten zgjedhjet në gjithë bashkinë për vetëm një kuti votimi, duke nënvizuar se, “Kolegji pas shpalljes së pavlefshme të kutisë duhet të shpallte fitues kandidatin e opozitës”. Pavarësisht mos dakordësisë, e sigurt është se aty do të ketë zgjedhje brenda katër javëve në një nga fundjavat që do të dekretojë Presidenti i Republikës. Rrogozhina nuk do të jetë e vetmja bashki.
Pas video skandalit ku Kryetari i Bashkisë, Safet Gjici kryente marrëdhënie intime me një vajzë në zyrën e shtetit, Gjici dha dorëheqjen, por qeveria lajmëroi më pas se e kishte shkarkuar nga detyra, ndërsa paralelisht SPAK kishte filluar hetimet për shpërdorim detyre.
Krahas përballjes ligjore që do të ketë Gjici, kryeministrit Rama do t’i duhet të shkojë sërish në bazë dhe të bindë kuksianët për një tjetër emër vetëm pasi kreu i ekzekutivit t’i kërkojë Presidentit shpalljen e zgjedhjeve për atë bashki. Vetë Gjici, në dorëheqjen e tij, ka aluduar se e kanë filmuar kundërshtarët dhe se ai ishte pre e një kurthi. Ndërsa PD-ja në anën tjetër, (më saktë dy PD-të) kanë dënuar aktin, duke kërkuar që aty të mbahen zgjedhje të reja dhe të votohet për kandidatin e opozitës.
Rrogozhina dhe Kukësi janë dy bashkitë ku pritet të këtë zgjedhje për kryetarin, ndërsa nuk ka më surpriza për një tjetër bashki ku PD-ja kërkonte përmbysje rezultati.
Kolegji Zgjedhor nuk pranoi kërkesën e koalicionit të BF-së për ripërsëritje zgjedhjesh në Belsh.
Ndërkohë të hënën Kolegji do të marrë në dorë padinë e koalicionit të opozitës për Kamzën ku edhe aty opozita ka kërkuar ripërsëritje zgjedhjesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje