Futboll

Real-Barça është Ramos-Mesi

Me 2 pikë diferencë në krye të klasifikimit, Real Madrid dhe Barcelona luajnë sot “El Clasicon” e radhës, ku dy kapitenët, Serxho Ramos dhe Lionel Mesi, takohen për herë të 41-të në karrierë.

Përsëri ata, gjithmonë ata dhe gjithmonë aty. Real Madrid-Barcelona luhet sot në mbrëmje në “Santiago Bernabeu” dhe sërish Mesi përballet me Serxho Ramosin, dy kapitenët që ndahen nga vetëm 2 pikë në renditje. Një sfidë e pafundme, e mbushur me kryqëzime dhe histori, e 41-ta në karrierën e dy lojtarëve simbol të klubeve më të mëdha në Spanjë, por edhe ndër më të mëdhenjve në gjithë botën.

Kapitenët Ramos dhe Mesi gjatë një sfide mes Realit dhe Barcelonës. Gazeta Si, 1 mars 2020

Gjithçka ka nisur më 19 nëntor të 2005-ës, kur Serxho Ramos ishte 19 vjeç, kurse Leo Mesi 18 vjeç. I pari sapo kishte ardhur nga Sevilja, i dyti kishte filluar të bëhej protagonist te një Barcelonë e mbushur me fenomene, duke u shndërruar më pas në më të fortin se të gjithë. Në atë “El Clasico”, 14 vjet më parë, ishin në fushë Bekham dhe Ronaldo, Eto dhe Ronaldinjo, Zidan dhe Deko. Kanë kaluar 14 vjet e pak muaj, por dy kapitenët janë sërish aty, në duelin e radhës.

Ramos është lojtari me më shumë kartonë të kuq në historinë e Real Madrid dhe të Ligës, 26 të kuq. Në 41 përballjet mes tyre, Mesi ka arritur 19 fitore, 12 herë ka fituar Ramos, kurse 10 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Kapiteni i Realit ka në anën e tij Kupën e Mbretit, ku ka fituar dy finale ndaj Barcelonës, si dhe Superkupën e Spanjës. Janë ngushëllime të vogla po të kemi parasysh humbjet e mëdha të Realit, si 6-2 në 2009-ën, 5-0 në 2010-ën dhe 5-1 në 2018-ën, kjo e fundit pa Mesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë