Real Madrid derdhi shumë djersë në San Sebastian, ku fitoi 1-2 dhe trajneri Zinedin Zidan e sheh skuadrën e tij në krye, me pikë të barabarta me Barcelonën. Por edhe shumë polemika për penalltinë e Realit dhe një gol të anuluar të Real Sociedad, që e mbajti ndeshjen të hapur deri në fund. Fitorja e madrilenëve u vendos nga një gol i shënuar nga Ramos me penallti, shumë e kontestuar nga vendësit, dhe një gol i Benzema.
Përveç penalltisë së Realit, skuadra baske ka reklamuar fort golin e anuluar të Januzajt, kur rezultati ishte 0-1. Januzaj gjuajti nga jashtë zonës dhe goli u anulua për pozicion jashtë loje të Merinos, i konsideruar aktiv dhe në rrezen e portierit. Madrilenët janë frikësuar në fund, pas golit të Merinos, por rezistuan edhe me pak fat. Kapiteni Ramos la fushën pas një dëmtimi në gju dhe mbetet për t’u parë gjendja e tij.

Trajneri Zidan konfirmohet një ekspert në përzierjen e “kartave”. Ishin dy zgjedhjet e papritura të tij në sfidën ku ai mori kreun e renditjes në kampionat. Hazard në stol dhe Vinicius titullar, ashtu si dhe Hames Rodrigues që nuk luante nga minuta e parë që prej 19 tetorit. Kolumbiani shfaqi mungesë dëshire në atë që mund të ishte ndeshja e kthesës për të, duke humbur edhe shansin e fundit për të bindur trajnerin francez. Në asnjë moment ai nuk mundi të mbështeste Benzemanë dhe Viniciusin.
Ishte ky i fundit që fitoi penalltinë e zhbllokimit të rezultatit, pas një shtyrjeje të lehtë në zonë para se të gjuante. Ramos ishte i saktë nga 11 metrat dhe shënoi golin e shtatë sezonal. Pas festës së golit ai ka marrë një goditje të fortë në gju dhe u detyrua të linte fushën. Nervozizëm te Real Sociedad për golin e anuluar të Januzajt për një pozicion të dyshimtë jashtë loje. Merino rihapi ndeshjen në minutën e 83-të, pasi më parë kishte dyfishuar Benzema për Realin, edhe ky një gol i kontestuar për mënyrën e kontrollit të topit nga sulmuesi francez mes dorës dhe shpatullës. Kurtua ndali aksionet e fundit të Sociedadit dhe Zidan kalon Barcelonën, me pikë të barabarta, 65, por me Realin të favorizuar nga ndeshjet direkte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje