Prej një çerek shekulli në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ishte nga të paktët që dëgjoi me vëmendje fjalimin e Edi Ramës në 32 vjetorin e themelimit të partisë.
Një ‘ujk’ i terrenit të politikës si ai, sigurisht qe i jep rëndësi një mesazhi që mund të vijë në një ditë të rëndësishme për PS.
Dhe nuk e zhgënjeu nuhatja e tij prej përvoje.
Edi Rama tha se fitorja e madhe lipste reflektim brenda radhëve, se si PS-ja duhet të shikonte përtej vetes dhe se ishte e nevojshme një projekt i ri politik dhe organizativ.
Kur kanë kaluar jo pak kohë nga ai fjalim, Fatmir Xhafaj i rikujton Edi Ramës, jo me bujën e fjalëve të këtij të fundit, por në një intervistë (me gazetaren e A2NN Merita Haklaj) se, bashkë me reflektimin, ai duhet të tregojë urtësi në orientimin e pushtetit të madh që ka në duar
“Ka një realitet politik ku opozita është shumë e dobët, për fatkeqësinë e saj dhe fatkeqësinë e këtij vendi. Edhe për të keqen e kësaj mazhorance sepse nuk ka pasqyrën përballë. I ka dhënë një pushtet të madh që është e pamundur ta kontrollosh me një telefon apo me një individ, cilido qoftë ai, sado supermen të jetë. Nevoja për të reflektuar për këtë përgjegjësi është një gjë shumë e drejtë dhe kryeministri ka bërë shumë mirë…”, shprehet ai gjatë intervistës
Në një marrëdhënie të tendosur dhe të ftohtë krijuar qysh prej largimit nga ministria e Brendshme, Edi Rama e la Fatmir Xhafajn jashtë listave të sigurta në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Por ish- ministri theu herësin duke siguruar vetë karrigen në Kuvend.
Fatmir Xhafaj ishte “ideatori” i reformës në drejtësi, por sot e sheh zbatimin me rezerva.
Ai është ndër ata që miratonte në heshtje vendimet e qeverisë, por sot i kujton ‘shefit’ të tij se duhet të kursehet në shpenzimet operative pa karar.
Fatmir Xhafaj është gjithashtu i dyti për nga militimi në ‘pashallëkun’ e PS-së, pas Gramoz Rucit, i dalë në pension, por jo ‘me dëshirë’ sa kohë dërgoi në krye të bashkisë Vlorë vëllain e dhëndrrit të tij, Ermal Dredha, aty ku edhe miku i vjetër në parti, (Xhafaj) përfshiu ndikimin e vet.
A lidhet ky qëndrim i Xhafës me ‘testamentin’ politik që duhet të trashëgojë PS-ja, apo/dhe ka lidhje drejtpërdrejtë me disa pakënaqësi të akumuluara nga qëndrimet mospërfillëse, ndonjëherë pa fre, të kryeministrit Edi Rama si pasojë e një opozite të zgërlaqur, ku nuk sheh përballë askënd dhe askund?!
Fatmir Xhafaj e di gjithashtu mirë se një opozitë e dobët mund të kthehet në një problem të madh për qeverinë në llogaridhënie apo cilësinë e vendimmarrjes.
Ndaj dhe, ai rreket të shpresojë se Rama është në kohë të reflektojë. Dhe rëndshëm.
“…Në disa raste nuk ka nevojë për të bërë disa make up të makinës por edhe për ta rinovuar plotësisht. Shpresoj që të ketë urtësinë ta realizojë”.
Të qenit kaq dominues, Edi Ramës nuk i lihet vend për justifikime dështimesh nesër.
“…barra kur dobësohet kurrizi të thyen në mes…” Dhe, e thënë nga një profil prej ‘spartani’ si Xhafaj, që e njeh mirë fabulën e ngritjes por edhe rrëzimit në politikë, nuk është pak… / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje