Politike

Reforma zgjedhore, komisioni ‘i fryrë’ parlamentar paralajmëron dështimin

Mbledhja e parë e Komisionit të pazakontë prej 19 anëtarësh të Reformës Zgjedhore, paralajmëroi dështimin e tij. Bashkëkryetari i socialistëve në këtë komision, Damian Gjiknuri tha se komisioni do të zhvillojë më shumë një punë teknike, baza e të cilës duhet të jetë adresimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Jemi të detyruar të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të gjejmë konsensus në funksion të objektivave, që janë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Nuk kemi mundur të adresojmë të gjitha rekomandimet e ODIHR. Kemi rekomandime të reja që vijnë nga zgjedhjet e 2022 dhe palët mund të diskutojnë edhe për çështje të tjera”, tha ai.

Afati i komisionit është 3 muaj, por Gjiknuri paralajmëroi se ky afat mund të zgjatet. “Ne e kemi në dorë që ta zgjasim nëse do të ketë nevojë për më shumë kohë. Afati është vendosur për ecjen përpara të këtyre objektivave”, tha ai.

Palët kanë rënë dakord që t’i dërgojnë kërkesë zyrtare OSBE, Këshillit të Europës, Komisionit të Venecias dhe përfaqësive diplomatike të SHBA e BE për ekspertizë në këtë reformë.

Por, në këtë komision opozita nuk u shfaq e unifikuar dhe bashkëkryetari nga PD, Enkelejd Alibeaj nuk gëzon mbështetjen e anëtarëve të opozitës në këtë komision. Oerd Bylykbashi, Fatmir Mediu, Petrit Vasili dhe Dashnor Sula thanë se qëndrimi i tyre nuk do të jetë i kushtëzuar nga qëndrimi i grupeve parlamentare, por individual dhe sipas tyre, në interes të qytetarëve.

“Unë këtu do të mbroj interesin e qytetarëve, pavarësisht se jam i mandatuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike”, tha Dashnor Sula.

Oerd Bylykbashi akuzoi mazhorancën se nën petkun e ndryshimeve teknike synon që të fshehë qëllimet politike që ka te ndërhyrja në Kod.

“Komision teknik është devizë e sajuar e mazhorancës, për të fshehur interesin e vet politik. Kjo është një prej reformave më të thella politike. Reforma s’mund të jetë një pazar, as i paravendosur as i vendosur gjatë rrugës. Nuk duhet të jetë si fundi i 2020, kur një reformë shkatërroi zgjedhjet. Duhet të vendosim bashkë rregullat e lojës. Nëse kjo reformë do të prodhojë konflikt politik, më mirë të mos nisë fare”, tha ai.

Fatmir Mediu kërkoi rishikim total të sistemit zgjedhor. “Kuvendit sot i ka humbur kushtetueshmëria, pasi është i emëruar, jo i zgjedhur. Duhet t’u kthejmë qytetarëve deputetët dhe të mos caktohen nga kryetarët e partive”, tha ai.

Komisioni përbëhet nga 19 anëtarë dhe u zvarrit për 8 muaj deri në nisjen e punës. Koha që ka në dispozicion ky komision është vetëm dy muaj, pasi në korrik Kuvendi mbyll sesionin. Kundër këtij komisioni dhe atij të territoriales është shprehur kundër Sali Berisha, që i ka cilësuar si përpjekje të Ramës për të ndryshuar si hartën, ashtu edhe kodin zgjedhor për interesa politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë