Politike

Reforma zgjedhore, opozita parlamentare mund të vonojë paktin PD-PS

Marrëveshja e nënshkruar në Këshillin Politik për ndryshimet në Kodin Zgjedhor mund të marrë edhe disa javë kohë para se të miratohet në seancë plenare nga Kuvendi. Kjo është paralajmëruar nga opozita parlamentare, që në Komisionin për Reformën Zgjedhore ka bashkëkryesinë përmes Rudina Hajdarit.

Hajdari, që në Këshill përfaqësonte pikërisht opozitën parlamentare deklaroi në përfundim të mbledhjes së kësaj të premteje se misioni i saj në Këshillin Politik u përmbyll dhe se betejën tashmë do ta zhvendosë në Parlament.

Hajdari nënkuptoi se opozita parlamentare mund të shtrojë për diskutim, të paktën hapjen e listave, në Komisionin parlamentar për reformën zgjedhore, ku është bashkëkryetare së bashku me Damian Gjiknurin. Ajo këmbëngul se propozimet e tyre nuk cenojnë paktin e arritur në Këshillin Politik.

“Beteja ime tani është në Parlament, te komisioni i reformës për të shtuar gjërat e tjera. Pa ndryshuar marrëveshjen por duke shtuar disa elementë. Ne do të shkojmë duke propozuar elementë shtesë, listat e hapura dhe ndryshimin e sistemit. Do të propozojmë votën e diasporës, do të ngulim këmbë në këtë propozim, pasi ata emigrantë që e kanë mbajtur Shqipërinë me remitanca t’u jepet kjo e drejtë. Edhe te administrata e depolitizuar dhe pse jo të shikojmë mundësinë e numërimit elektronik. T’ua lëmë në dorë ekspertëve dhe në Parlament të shtojmë të tjerat”, u shpreh ajo.

Diskutimi i këtyre propozimeve në Komisionin e Reformës Zgjedhore në Parlament do të kërkojë kohën e vet, çka mund të shtynte me të paktën disa ditë, për të mos thënë javë, pasqyrimin e marrëveshjes së 5 qershorit në Kodin Zgjedhor.

Përfaqësuesi i PS në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri. Gazeta Si, qershor 2020

Këshilli Politik u mblodh këtë të premte për të diskutuar detajet sesi do të reflektohet në Kodin Zgjedhor marrëveshja e 5 qershorit. Nga PS-PD dolën të kënaqur dhe vendosën si afat kohor ditën e martë për përmbylljen e të gjithë këtij procesi nga ekspertët dhe dorëzimin e draftit për miratim në Kuvend.

“Kemi dy tre pika të vogla për të diskutuar dhe deri të hënën do të kemi të gjitha amendimet ligjore në kodin e ri zgjedhorë, përfshirë edhe formimin e KQZ. Të hënën, maksimumi të martën shpresoj që të çoj zyrtarisht draftin në Komisionin e Reformës Zgjedhore, më pas drafti të vazhdojë diskutimin në Parlament”, deklaroi përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.

“U la detyrë që në fillim të javës, pra ditën e hënë, të kemi versionin e plotë, i cili parashikon të gjitha këto garanci (të arritura në marrëveshjen e 5 qershorit), ndërkohë që vazhdojmë për të përmbyllur edhe ata elementë që mund të jetë e nevojshme në aspekte, siç janë tek financimi, apo kryesisht tek çështja e medias”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi.

Përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi. Gazeta Si, qershor 2020

Nga ana tjetër, Damian Gjiknuri tha se për ristrukturimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka dakordësi të plotë dhe për t’u diskutuar kanë mbetur vetëm mekanizmat dhe procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve, ku premtoi se do të reflektohen propozimet e opozitës.

Palët kanë rënë dakord që të lejojnë reklamat politike, duke shkuar përkundër një rekomandimi të Këshillit të Europës, ndërsa për financimin e partive propozohet 70 për qind nga buxheti i shtetit dhe 30 për qind nga privati.

Oerd Bylykbashi tha se deri në reflektimin e marrëveshjes së arritur në Kodin Zgjedhor, Këshilli Politik do të vazhdojë detyrën.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë