Politike

Reforma zgjedhore, PS pret edhe një javë: Më pas e miratojmë

Mazhoranca i ka lënë kohë deri javën tjetër opozitës që të rikthehet në tryezën e Këshillit Politik për të përfunduar reformën zgjedhore, në të kundërt paralajmëron se do ta miratojë ndryshimet së bashku me opozitën parlamentare brenda muajit qershor.

“Dëshira ime është që opozita të jetë pjesë integrale. Do të ndërmarr hapa zyrtarë në lidhje me qëndrimin që ju thashë për rifillim të Këshillit Politik javën e ardhshëm. Këshilli Politik pa opozitën nuk ka kuptim, se është pjesë negociuese. Nëse s’duan të marrin pjesë t’ua thonë shqiptarëve dhe të vijojmë ne punën. Ta rifillojmë aty ku e lamë. Dora jonë është e shtrirë, por mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng këtë proces. Kuvendi i ka votat. Do të përpiqemi dhe me opozitën parlamentare t’i bëjmë votat”, deklaroi këtë të mërkurë përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri.

Socialistët thonë se puna nuk është përmbyllur me dorëzimin e pesë drafteve të opozitës dhe se ka disa çështje për të cilat kërkohet dakordësi. Ai përmendi disa prej tyre, ndërsa mohoi se në tryezë diskutohet edhe kushti i PD-së për qeveri kujdestare. Gjiknuri tha se kjo është çështje politike që këshilli politik dhe komisioni i reformës zgjedhore nuk ka tagër për të diskutuar.

“Një nga propozimet është që partitë të heqin dorë nga administrimi i procesit zgjedhor. Për Kolegjin Zgjedhor ka ardhur momenti që të shikohet, sepse është çështje kohësh derisa të krijohet Gjykata e Apelit Administrativ që do të jetë edhe institucioni që do trajtojë ankesat zgjedhore. Kemi rënë dakord që të përfshihet teknologjia, që KQZ të merret me votën e emigrantëve, pra si do të bëhet votimi në distancë. Qeveria tranzitore nuk është kusht i Reformës Zgjedhore, është çështje politike”, deklaroi ai.

Më herët, edhe Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se shumica mund të shkojë me miratimin e reformës pa marrëveshje me opozitën jashtëparlamentare.

“Nuk e di që ka 5 drafte më duket një habi e madhe që të ketë 5 drafte. Ka një komision që punon kur të na thotë që deri këtu kemi arritur dhe është arritur apo jo marrëveshja do të gjykojmë. Ne nuk jemi të gatshëm që të negociojmë në kuptimin e parimeve ato që janë rekomandimet e OSBE/ODIHR duke filluar nga depolitizimi i komisioneve zgjedhore”, tha ai në një intervistë për televizionin “ABC”.

Reagimi i parë pas kësaj deklarate të Gjiknurit mbërriti nga Petrit Vasili, në cilësinë e përfaqësuesit të LSI-së në tryezën e Këshillit Politik. Ai akuzon mazhorancën se ka bllokuar me urdhër politik shqyrtimin e propozimeve të opozitës për reformën zgjedhore.

“Propozimet e opozitës janë aty, por janë bllokuar pa asnjë përgjigje nga Gjiknuri dhe gjiknurët e tjerë të Edi Ramës. Këshilli Politik duhej të ishte mbledhur me kohë edhe online, por Gjiknuri kujtohet vetëm sot dhe ka përgjegjësi për bllokimin me urdhrin politik të ‘Rilindjes’ të Këshillit Politik. Gjiknuri të mos vazhdojë të gënjejë më ambasadorët duke ju paraqitur Komisionin e Reformes Zgjedhore si Këshill Politik, sepse i bën edhe ata qesharakë në qëndrimet e tyre. Këshilli Politik nuk është ‘çunat problematikë’ të Gjiknurit”, deklaroi ai.

Vasili thotë se zvarritja e punës së Këshillit Politik lidhet me objektivin e socialistëve për të miratuar në moment të fundit një reformë që do t’i mundësonte vjedhjen e zgjedhjeve.

“E dimë që Rilindja kërkon bllokimin e Reformes Zgjedhore dhe logjikën e faktit të kryer për të miratuar një reforme hajdute votash me komisionin dhe parlamentin e karavidheve. Por ta harrojë një herë e përgjithmone se mund ta bëjë këtë, pasi përgjigja do të ishte aq e fortë sa nuk ja pret mendja”, tha Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë