Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u rikthyen në tryezën e Këshillit Politike për reformën zgjedhore, por jo për të bërë propozime të tjera në lidhje me këtë temë, pasi këtë çështje e vlerëson si të shteruar para ndërprerjes së punës për shkak të koronavirusit.
Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI dolën me një deklaratë të përbashkët ku parashtruan tre kërkesa, që më shumë se përmbajtjen lidhen me procedurat dhe afatet e punës së Këshillit Politik. Kërkesa e parë e opozitës është që reforma të përmbyllet nga Këshillit Politik brenda 31 majit dhe më pas t’i kalojë për miratim Kuvendit, ku ky i fundit nuk duhet të ndërhyjë për ta ndryshuar.
Në kërkesën e dytë opozita thotë se mbledhjet e Këshillit Politik duhet të rikthehen në tryezë fizike, jo përmes platformave të komunikimit në distancë, ndërsa në kërkesën e tretë kërkohet prej mazhorancës që të japë një përgjigje në lidhje me propozimet që bëra nga opozita në tryezë.
Por, nga mazhoranca akuzojnë opozitën për tërheqje nga dakordësia e arritur deri më tani në Këshillin Politik. Damian Gjiknuri e vlerësoi si të arritshëm afatin e vendosur më 31 maj, por nëse ka vullnet politik.
“Nuk kemi të bëjmë me rifillim loje, por me vazhdimin e asaj ku e lamë. Nuk mund të rikthejmë më agjendat. Ka një metodologji të dakordësuar dhe nuk mund t’i rikthehemi lojës nga e para. Nuk mund të hapen çështje të reja”, deklaroi Gjiknuri në përfundim të mbledhjes online të Këshillit Politik.
Përfaqësuesi socialist u shpreh gjithashtu se mazhoranca është në pritje të propozimeve të opozitës sa i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor. Ai tha se ekspertët kanë dhënë një zgjidhje optimale sa i takon votës së emigrantëve.
Por, opozita akuzon mazhorancën për mungesë vullneti për të arritur një marrëveshje. Oerd Bylykbashi i vlerësoi si dytësore çështjet e ngritura nga socialistët në Këshillin Politik.
“Jemi ndeshur vetëm me refuzim nga mazhoranca për propozimet tona. Ne do t’i qëndrojmë fort nevojës për të gjetur një zgjidhje konsensuale, që brenda 31 majit reforma zgjedhore të miratohet dhe më pas të legjitimimit të pushtetit që bëhet vetëm përmes zgjedhjeve. Nuk shtrohen çështje po zgjidhur themelin e problematikës zgjedhore. Loja e mazhorancës për ta tërhequr zvarrë procesin me çështje të tjera shtesë nuk ndihmon procesin, por ne jemi të gatshëm që në këto 3 javë të ecet përpara”, tha ai.
Bylykbashi kërkon nga mazhoranca që në mbledhjen e radhës të Këshillit Politik të paraqitet me një përgjigje konkrete për propozimet e bëra nga opozita.
Petrit Vasili nga LSI i vlerëson qëndrimet dhe vlerësimet e mazhorancës si një strategji për të shkuar drejt miratimit të një reforme zgjedhore pa opozitën.
“Çdo tendencë nga ana e mazhorancës shprehur me gojën e Gjiknurit për të akumuluar çështje që zënë përfunbdi njëra-tjetrën është në funksion të strategjisë për ta vënë situatën para faktit të kryer dhe për të shkuar drejt një miratimi të njëanshëm, që është e kundërt a asaj që kërkohet për hapjen e negociatave”, deklaroi ai.
Edhe Vasili tha se socialistët kanë refuzuar prerazi brenda dhe jashtë Këshillit Politik propozimet e opozitës. Ai paralajmëroi se miratimi i njëanshëm i reformës do të shyste vendin në një krizë të pashoqe. Vasili mohoi se opozita ka qenë pjesë e propozimit të ekspertëve sa i takon votës së emigrantëve.
Ndërkohë, përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari këmbënguli në kërkesën e saj për ndryshim të sistemit zgjedhor. Ish-deputetja e PD-së tha se kishte marrë sinjale pozitive dhe se ishte optimiste se në fund do të marrë edhe dakordësinë e dy partive të mëdha.
“Kjo tryezë dhe ky këshill ka për bazë të gjejë një produkt konsensual dhe është bërë në atë mënyrë që të japë kontribut opozita jashtëparalmentare, por edhe opozitës parlamentare i duhet dhënë rëndësia e duhur dhe ajo kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor. Nëse jemi në këtë derexhe, në këtë krizë, sot burimi i problemit është sistemi. Duhet të vazhdojmë përpara dhe t‘i rikthejmë Parlamentit sovranitetin e duhur”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, as PS dhe as PD nuk janë shprehur fort optimiste për sistemin. Socialistët kanë shmangur komentet e drejpërdrejta mbi këtë çështje, ndërsa nga demokratët këmbëngulin se problemi nuk qëndron tek sistemi zgjedhor, por tek shit-blerja e votës.
Pavarësisht përplasjeve mes palëve, Zyra e OSBE-së në Tiranë përshëndeti mbledhjen e kësaj të hëne të Këshillit Politik për reformën zgjedhore.
“Shënoi edhe një hap tjetër përpara në procesin e reformës zgjedhore. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e mirëpret dakordësinë e partive për ta përmbushur reformën zgjedhore në këtë forum deri më 31 maj dhe përsërit gatishmërinë e saj për të vijuar ta mbështetë këtë proces, së bashku me kolegët e OSBE/ODIHR-it”, thuhet në reagimin e OSBE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)











Lini një Përgjigje