Politike

Refuzoi t’i përgjigjej opozitës në Kuvend, Vasili: Rama nuk është më kryeministër

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, tha se Edi Rama nuk është më kryeministër sa kohë ka ndërprerë çdo komunikim më Parlamentin duke refuzuar të përgjigjet për dosjen “McGonigal”.

“Edi Rama përfundimisht nuk është më kryeministër i Shqipërisë, pasi ai ka ndërprerë çdo komunikim më Parlamentin e Shqipërisë, ka refuzuar të përgjigjet dhe të japë llogari duke e bërë këtë veprim me ndërgjegje, hapur dhe publikisht.

Parlamenti i Shqipërisë është institucioni që votëbeson dhe i vetmi që i jep të drejtën kryeministrit që ta marrë dhe ta ushtrojë detyrën si kryeministër. Detyrimi i dhënies llogari para Parlamentit nuk është dëshirë apo qejf por një detyrim i pakapërcyeshëm kushtetues.

Kushdo kryeministër që e refuzon me ndërgjegje dhe mënyrë të qëllimshme humbet të drejtën për të vazhduar ushtrimin e detyrës.

Edi Rama e ka quajtur Parlamentin, Park Zoologjik dhe ka deklaruar që ka refuzuar dhe do të refuzojë në mënyrë të vazhdueshme Kuvendin dhe debatin me opozitën.

Sot, Edi Rama është e ditur botërisht që është nën akuzë për ‘Shpërdorim e Detyrës’ për ‘Ndikim të paligjshëm të zyrtarëve publikë’ për ‘Minimin mafioz të pluralizmit politik’ dhe për ‘Trafik të paligjshëm influencash’ e ‘Korrupsion”, tha Vasili.

Sipas tij, protesta e 11 shkurtit do të jetë një uragan i jashtëzakonshëm.  

“Ndaj cdo shqiptar do të jetë pjesë e asaj proteste pasi nuk ka shqiptar të asnjë lloj bindjeje politike që të pranojë një kryeministër mafioz dhe një zyrë kryeministri të shndërruar në një çerdhe të mafias.

Ndaj protesta e 11 shkurtit është shprehja madhështore e vendimit mbarëpopullor për ndryshimin me çdo çmim të kësaj situate të tmerrshme ku e ka çuar vendin Edi Rama”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë