Politike

Regjistrimi i traktoristëve në Maliq, Spaho denoncon stafin e Bashkisë: Më hodhën telefonin nga dora dhe më kërcënuan

Nga Gazeta ‘SI’ – Deputeti demokrat Edmond Spaho ka denoncuar stafin e Bashkisë Maliq që i ka hedhur telefonin nga dora, teksa ishte duke filmuar, një aktivitet që ai e quan të paligjshëm. Sipas deputetit Spaho, Gëzim Topçiu kryebashkiaku i Maliqit kishte mbledhur të gjithë traktoristët për t’iu kërkuar votat me motivin se do t’ju bënte regjistrimin e targave.

“Në fushën e sportit të Vreshtasit janë lajmëruar të mblidhen gjithë traktoristët e Bashkisë Maliq me gjoja regjistrimin që do t’ju bëhet për t’u bërë targat. Të gjithë traktorët u mblodhën këtu, i mblodhi Gëzim Topçiu dhe u kërkoi të votojnë për të. Ky është një aktivitet që s’ka lidhje fare me bashkinë as me deputetin Ilir Pendavinji apo kryetarët NJ. AD. Është një aktivitet i palejuar që zhvillohet në kuadër të fushatës elektorale. Unë e regjistrova edhe kryetarin e bashkisë dhe deputetin dhe më sulën nga mbrapa gjithë stafin e bashkisë për të më ofenduar, më rrëzuan telefonin nga dora që po filmoja dhe më akuzonin se po fus përçarje mes njerëzve, kur në unë dokumentova një aktivitet të paligjshëm elektoral që bën gënjeshtari Gëzim Topçiu sepse në fund u tha që të hënën do të filllojnë regjistrimet. Nuk i takon bashkisë të merret me këtë punë, i takon Drejtorisë së Transportit”, thotë Spaho.

Ai rikujton denoncimin që i ka bërë edhe kryetarit të njësisë Administrative në Vreshtas për blerje votash 2 vite më parë.

“Janë mësuar të vjedhin votat, edhe në 2021 kryetarin e Njësisë Administrative Vreshtas e kam kapur duke blerë vota në Podgorie. Këta kërkojnë të mashtrojnë qytetarët, fermerët, traktoristët. Konflikti u shmang por stafi i Topçiut më erdhën nga mbrapa duke më intimiduar dhe ofenduar”, shprehet Spaho.

Për këtë situatë ka reaguar edhe kryebashkiaku Topçiu, i cili po kandidon përsëri për Bashkinë e Maliqit. Në një deklaratë ai tha se nuk u fol për vota, por vetëm për zgjidhjen e problemit të targave. Topçiu e quan absurde ndërhyrjen e deputetit Spaho.

“Nuk e quaj tension sepse është absurde që një deputet i parlamentit shqiptar të hyjë në një vend ku ne po punojmë me njerëzit. Është një moment ku ne fushat elektorale kemi një problem me traktoristet që prej kohësh kërkojnë t’u regjistrojnë mjetet dhe morëm shkas që zv.ministrja, drejtori i përgjithshëm i Transporteve Rrugore do të regjistrojë mjetet me probleme me dokumentacionin, ishte një apel për gjithë që të bëjë një deklarim për atë çka atë kanë probleme. Nuk u fol për vota, vota është e fshehtë secili mund të votojë për ke te doje dhe kemi ndërhyrje si mund të ketë parlamenti deputet të tillë. Kemi bërë njoftim gjithë njësive administrative që ata që kanë probleme me mjetet traktoriste, i njoftuam të bëjnë vet deklarim çfarë ka mjeti i tyre dhe kaq” tha Topçiu.

Ai bëri thirrje për qetësi. “Nuk i kam qejf incidentet nuk jam pjesë e tyre. U bëj thirrje të gjithëve të jenë të qetë. Nuk më erdhi mirë kur njerëzit e morën mbrapsht deputetin në mes të sheshit, nuk shkon në Shqipëri, u bëj thirrje për qetësi, le të votojnë për njeriun që punon” përfundoi Topçiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë