Politike

Regjistrimi në KQZ, Alibeaj: PD do marrë pjesë në zgjedhje. Kemi dorëzuar dokumentet e plota sipas ligjit

Gazeta Si – Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar pasditen e së premtes një mbledhje me deputetët demokratë në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Pas mbledhjes, Alibeaj deklaroi se është vendosur një afat ku deri më 20 mars duhet të përmbyllet procesi i miratimit të kandidaturave për Këshillat Bashkiakë.

Ai shprehet i bindur se PD-ja do të regjistrohet në zgjedhje, teksa theksoi se janë dorëzuar të gjitha dokumentacionet e kërkuara sipas ligjit pranë KQZ-së.

“Kjo ishte një mbledhje e radhës dhe do të jenë më të shpeshta, tashmë që jemi futur në fushatë. Diskutimet janë të fokusuara në aspektin organizativ, deri në datën 20 kemi vendosur të përmbyllet procesi i miratimit të kandidaturave për Këshilla bashkiakë. Janë vendosur detyra përkatëse të grupit të punës. Janë vendosur detyra të grupeve të punës që do merren me organizimin e fushatës, por edhe me rifreskimin e strukturave tona, – tha ai. – Jemi të vetëdijshëm të situatës jo aq të shëndetshme që kemi kaluar përgjatë këtij viti. Tashmë që edhe fushata ka startuar dhe që është përcaktuar pozicioni politik i PD-së, kjo është një situatë që po rikthehet në rutinën e vetë të funksionimit, qoftë për kryesinë e PD-së, grupit parlamentar, KOlegjit të kryetarëve”.

Sipas Alibeajt, “kjo do jetë e gjithë mënyra e veprimit të PD-së. Është diskutuar dhe një çështje tjetër, lidhur me vendimin e djeshëm të KQZ-së. Po ju bëj me dije se PD do ndjekë të gjitha procedurat, një gjë është e qartë për këdo që gjithë deokumentacioni i depozituar pranë KQZ-së është në përputhje të plotë me legjislacionin. Kemi dërguar sqarimet përkatëse për këdo që mund të ketë paqartësira në depozitimin dhe përmbajtjen e dokumentacionit. Për këtë arsye po publikoj faktin që PD do regjistrohet, do marrë pjesë në zgjedhje dhe do jetë e fokusuar në shërbimin ndaj qytetarëve”.

I pyetur nëse do të dërgojnë në KQZ shkresën që kërkoi kryekomisioneri Ilirjan Celibashi apo do të shkojnë në KAS, Alibeaj theksoi se nuk mund të ketë firmë nga Lulzim Basha, pasi ai është i dorëhequr.

“Jo, e kemi bërë të qartë dje. Dorëheqja e zotit Basha është fakt publik tashmë. Sqarimi përkatës edhe shkresor ne do ta dërgojmë pranë KQZ-së. Kështu që nuk mbetet asgjë për t’u diskutuar. Praktika edhe në zgjedhjet e mëparshme është e mbështetur në Kodin Zgjedhor, kështu që kjo është një çështje e zgjidhur.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë