Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, ka folur për “Gazzetta dello Sport” për Atalantën, të cilën e ka drejtuar më parë. Ai nuk i ka kursyer komplimentet për skuadrën e mbrojtësit Berat Gjimshitit, një nga titullarët e trajnerit italian edhe në formacionin kuqezi. Reja beson se me rifillimin e kampionatit Atalanta do të jetë në gjendjen e duhur.
“Probleme për Atalantën? Nuk besoj, mendoj se do të jetë në 80-85% të formës kur të rifillojë kampionati. Dua të theksoj diçka për këtë skuadër: ta heqim nga mendja që Atalanta është vetëm muskuj, mushkëri dhe vrap. Nuk është skuadër mesfushë e prapa. Vlerat teknike të saj janë absolute. Nëse duan, Gomez, Iliçiç dhe Zapata ta fshehin topin, janë lojtarë me bagazh të lartë teknik”, – thotë fillimisht trajneri i kuqezinjve.

Për trajnerin Gasperini ai nuk ka dyshime: “Ai ka bërë dhe po bën historinë. Ka shkuar në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, çfarë duhet tjetër? Me siguri do të përpiqet ta mbajë ritmin të lartë. Nuk do të jetë mundësia për të luajtur shumë miqësore. Stërvitja është një gjë, kurse ndeshjet janë diçka tjetër. Mendoj për përgatitjet klasike verore para sezonit, ku lojtarët marrin “benzinë” në këmbë me disa ndeshje testuese. Sot këto ndeshje nevojiten shumë, por nuk ka kohë. E gjithë kjo mund të jetë një faktor negativ për të gjithë.
Kalendar i ngjeshur? Nuk besoj, Atalanta është mësuar të luajë çdo tri ditë. Për fat të keq, nuk duhej kjo pauzë e sforcuar pikërisht në fazën vendimtare të sezonit, ku skuadrat japin maksimumin. Atalanta ishte mirë fizikisht dhe mendërisht, kishte shumë entuziazëm. Por kjo vlen edhe për të gjithë kundërshtarët e saj”, – përfundon trajneri Reja. Përveç Atalantës, ai ka drejtuar në Itali edhe skuadra të tjera me emër si Napoli dhe Lacio. Sa i takon Gjimshitit, ai ka pohuar se në kohën kur drejtonte Atalantën, mbrojtësi kuqezi nuk ishte ky që është sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje