Politike

Rekomandimet e Komitetit Parlamentar Shqipëri-BE, nga regjistrimi i popullsisë te pronat

Tryeza e Komitetit Parlamentar Shqipëri-BE, që u mbajt në Tiranë në datat 23 dhe 24 shkurt ka dalë me 10 rekomandime për Shqipërinë, që nga drejtësia, nevoja e dialogut politik, mjedisi e deri te legjislacioni për censusin, i ngritur si shqetësim nga eurodeputetët grekë.

Delegacioni i BE-së në këtë tryezë drejtohej nga eurodeputeti grek, Manolis Kefalogianis, ndërsa delegacioni i palës shqiptare nga kreu i grupit parlamentar të mazhorancës, Taulant Balla.

Në rekomandimin me numër 5 mirëpritet progresi i bërë nga Shqipëria në fushën e mbrojtjes së lirive themelore të të drejtave të njeriut, nxiten përpjekje të mëtejshme për mbrojtjen e këtyre të drejtave, sidomos sa i përket të drejtave të minoritetit dhe të pronësisë.

“…mirëpret miratimin e legjislacionit dytësor që lidhet me ligjin e 2017-s për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare dhe i kërkon Shqipërisë të adoptojë sa më shpejt rregulloret, sidomos mbi vetëidentifikimin dhe përdorimin e gjuhës për minoritetet, sipas standardeve europiane dhe me përfshirjen e aktorëve vendas”, thuhet në rekomandim.

Shqetësimi tjetër lidhet në rekomandimin numër 6, ku flitet për pronësinë dhe të drejtën e pronës. Komiteti vlerëson si pozitive përpjekjet për reformën e re të tokës dhe të konsolidimit të të drejtës s ëpronësisë dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vazhdojnë me këto përpjekje.

“Në mënyrë transparente, përmes konsultimeve me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë këtu edhe adresimin e rasteve të falsifikimit të dokumentacionit. Gjithashtu, nxitet përpara procesi i legalizimit, regjistrimit dhe kompensimit”, thuhet në rekomandim.

Sa i takon drejtësisë, Komiteti përshëndet progresin e bërë nga SPAK dhe nxit vijimin e punës dhe hetimeve proaktive kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.

Përshëndetet gjithashtu edhe ngritja e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe nxitet dialogu institucional mes mazhorancës dhe opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë