Futboll

Rekordi në Japoni, një dyshe sulmuese prej 93 vjetësh

Jokohamas, klubit japonez të kategorisë së dytë, nuk do t’i mungojë përvoja në sulm sezonin e ardhshëm. Kjo është e sigurt. Shunsuke Nakamura, një emër i njohur që ka luajtur në Itali me Rexhinën dhe në Skoci me Selltikun, ka firmosur një kontratë që e lidh me këtë klub për një sezon. Një lajm që ka bërë bujë, sepse ai është 41 vjeç, por në fakt është ende i ri…

I ri, sepse Nakamura nuk është lojtari më i vjetër i skuadrës. Është dikush tjetër që e kalon dhe qëndron në krahun e djathtë të tij. Emri i tij është Kazuioshi Miura. Është sulmues edhe ai dhe është 52 vjeç. Miura është futbollisti më i vjetër në moshë në histori që zbret në fushë për një ndeshje profesionistësh. Në janar ka firmosur rinovimin e kontratës me Jokohamën.

Këtë sezon, që është i 34-i në karrierë, ka luajtur në dy ndeshje. Nëse trajneri vendos që të hedhë në fushë në të njëjtën kohë Miurën dhe Nakamurën, do të vendoset një rekord: dyshja e sulmit me moshën më të madhe në historinë e futbollit, 93 vjeç!


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë