Kampionati më i pasur në botë ka qenë dhe mbetet Premier Liga, megjithatë La Liga ka qenë gjithmonë aty pranë. Kampionati spanjoll është turneu kombëtar më i pasur me talente. Jo vetëm kaq, në 12 edicionet e fundit të Ligës së Kampionëve, skuadrat e këtij kampionati kanë fituar trofeun plot 7 herë. I njëjti rezultat edhe në Ligën e Europës, por së fundi gjërat po ndryshojnë dhe duket se ka ardhur fundi i një ere…
Në kupën më të rëndësishme europiane për klube gjatë sezonit të fundit asnjë skuadër spanjolle nuk shkoi në gjysmëfinale, kurse një sezon më parë asnjë prej tyre nuk shkoi në finale. Një rënie e lehtë, por që rrezikon të përkeqësohet. Në vitin 2017 La Liga humbi një nga yjet e saj, brazilianin Nejmar, një vit më pas edhe yllin portugez Kristiano Ronaldo, ndërsa tani duket se është radha e lamtumirës së Lionel Mesit, i cili duket i vendosur për t’u larguar nga Barcelona.

Një humbje e jashtëzakonshme për një kampionat prestigjioz dhe shumë të ndjekur kudo në botë. Humbja e yjeve ndikon drejtpërdrejt në rënien e interesit për kampionatin spanjoll dhe rrjedhimisht bien edhe shitjet për të drejtën televizive. Reduktimi i të ardhurave ekonomike patjetër që ndikon edhe te rezultatet sportive.
Për sa i takon Barcelonës, për shembull, dyshja Mesi-Suarez gjatë 5 sezoneve të fundit ka pasur një mesatare prej 79 golash dhe 38 asistesh për sezon. Është e vështirë të mendosh që kushdo që do të vijë në vend të tyre, të bëjë më mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje