Efekti i pandemisë nuk kursen askënd, as merkaton e futbollit. Sipas një studimi të “Futboll dhe Financa”, në 5 kampionatet kryesore europiane janë shpenzuar në total 3.13 miliardë euro. Një shifër që, nëse krahasohet me atë të 2019-ës, kur u shpenzuan 5.025 miliardë, tregon një rënie prej 1.89 miliardësh, ose 38% më pak.
Kohët kur PSG bënte çmenduri për Nejmarin, duke shpenzuar 222 milionë euro, duken të largëta. Në mënyrë surprizë, Seria A mban vendin e dytë për investimet në merkaton e verës me 726 milionë euro. Vendin e parë e mban Premier Liga, që regjistron lëvizje prej 1270 milionë eurosh, nga 1550 milionë që shpenzonte në 2019-ën. Në shkallën më të ulët të podit qëndron La Liga, me vetëm 412 milionë euro të shpenzuara. Në rastin e kampionatit spanjoll krahasimi me merkaton e vitit të kaluar është i pamëshirshëm: janë 908 milionë euro më pak. Real Madrid thuajse nuk ka bërë asnjë lëvizje në hyrje.

Në vend të katërt është kampionati francez, me 404 milionë euro. Ky është i vetmi kampionat që ka shënuar një rritje të lehtë me 167 milionë euro. Dy afrimet më të kushtueshme janë blerja e Mauro Ikardit nga PSG-ja për 50 milionë euro dhe kalimi i Xhonatan Devid nga Gent te Lilë për 32 milionë euro. Mbyll 5-shen Bundesliga, kur përforcimet kanë kushtuar 323 milionë euro, 620 më pak se vitin e kaluar.
Për të kuptuar më mirë ndikimin e Covid-19 në shit-blerjet e lojtarëve, mjafton të përmendet fakti se transferimi më i shtrenjtë është ai i Kai Havertz te Çelsi për 80 milionë euro. Në vitin 2019, Atletiko Madrid shpenzoi 126 milionë euro për Zhoao Feliks, Barcelona 120 milionë për Grizman dhe Real Madrid 115 për Hazard…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje