Në një konferencë për mediat, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se bashkëshorti i deputetes së Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti është aksioner dhe menaxher i një kompanie që u mor me organizimin e skenografisë së Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit në stadiumin “Air Albania”.
Kreu i PD-së theksoi se kostot e këtij organizimi ishin shumë të larta, “aq sa ka derdhur dhe PS për vjedhjen e votave në zgjedhje”. Sipas tij, pavarësisht këtyre shpenzimeve marramendëse, Kuvendi Kombëtar i Berishës ishte një dështim.
Pas deklaratës së Bashës, reagoi Komisioni i Rithemelimit i ngritur nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
“Deputeti Basha ripërtypi sot publikisht shpifjet e mediave të Edi Ramës për organizimin dhe kostot e Kuvendit te Partisë Demokratike. Kostot modeste të këtij organizimi do të bëhen transparente për mediat ditët në vijim.
Po ashtu kukulla e Ramës shpifi publikisht se për këtë event është kontraktuar bashkëshorti i një deputeteje të Partisë Socialiste. Hedhim poshtë me neveri këtë shpifje dhe sqarojmë opinionin se kjo është totalisht e pavërtetë!
E mirëkuptojmë zemërimin e z. Basha përse nuk e organizuam Kuvendin me kompaninë e të afërmve të tij, por rrjepja që ata i kanë bërë financave të PD këto 8 vjet e ka bërë këtë kompani të papërballueshme për mundësitë tona!”, thuhet në njoftimin e komisionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje