Në kryeqytetin e Ishujve Solomon, Honiara, u vendos një shtetrrethim nga autoritetet, pasi një turmë protestuesish u përpoqën të bastisnin parlamentin, duke i vënë flakën një stacioni policie dhe disa ndërtesave.
Oficerët e policisë u përgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës. Është e paqartë, nëse protesta ishte një përpjekje e dështuar për të rrëzuar kryeministrin Manasseh Sogavare.
Australia ka njoftuar dërgimin e forcave ushtarake paqeruajtëse në Ishujt Solomon, tha kryeministri, Scott Morrison, pas dy ditësh trazirash të dhunshme që kërcënuan të rrëzonin qeverinë në Honiara.
“Qëllimi ynë është të ofrojmë stabilitet dhe siguri”, tha Morrison, duke deklaruar se kishte marrë një kërkesë për ndihmë nga kryeministri i Ishujve, Manasseh Sogavare.
Kryeministri Manasseh Sogavare, iu drejtua vendit, duke thënë se “hetuesit po punojnë për të gjurmuar ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e vendit, ata do të përballen me ligjin, askush nuk është mbi ligjin”.
Në mbrëmjen e 24 nëntorit, Sogavare nënshkroi një urdhër-shtetrrethimi 36-orësh, i cili sipas deklaratave të mbledhura nga gazeta lokale, “do të lejojë policinë të hetojë më tej atë që ka ndodhur”.
Protestuesit vijnë kryesisht nga provinca Malaita, më e populluara nga ishujt Solomon. Ata kërkojnë që kryeministri Manasseh Sogavare të japë dorëheqjen, për shkak të tensioneve midis qeverisë provinciale të Malaitas, të udhëhequr nga Daniel Suidani dhe qeverisë kombëtare të Sogavare.
Marrëdhëniet midis Suidanit dhe Sogavares, u përkeqësuan kur ky i fundit vendosi të kalojë nga njohja diplomatike e Tajvanit, tek ajo e Kinës.
Suidani ka qenë një kritik i vendosur i këaj mase dhe pretendon se janë paguar ryshfet për njohjen e Kinës, sipas “Solomon Times”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)









Lini një Përgjigje