Ne rrjet

Rezoluta antiruse e PE: Të ndalohet importi i naftës ruse në BE

Parlamenti Europian votoi këtë të enjte me shumicë dërrmuese votash një rezolutë, ku u kërkon vendeve anëtare të BE-së që të ndalojnë plotësisht importet nga Rusia.

Në rezolutën e miratuar me 513 vota pro, 22 kundër dhe 19 abstenime, eurodeputetët bëjnë thirrje për masa shtesë ndëshkuese, duke përfshirë “një embargo të menjëhershme të plotë ndaj importeve ruse të naftës, qymyrit, karburantit bërthamor dhe gazit”.

Kjo duhet të shoqërohet me një plan për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji të BE-së, si dhe me një strategji për të “zhbërë sanksionet në rast se Rusia ndërmerr hapa drejt rivendosjes së pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe largon plotësisht trupat e saj nga territori i Ukrainës”.

Sanksionet ekzistuese, sipas rezolutës, duhet të zbatohen plotësisht dhe në mënyrë efektive në të gjithë BE-në dhe nga aleatët ndërkombëtarë të BE-së si çështje prioritare. Eurodeputetët u bëjnë thirrje liderëve të BE-së që të përjashtojnë Rusinë nga G20 dhe organizata të tjera shumëpalëshe, si UNHRC, Interpol, Organizata Botërore e Tregtisë, UNESCO dhe të tjera, “që do të ishte një shenjë e rëndësishme se komuniteti ndërkombëtar nuk toleron një shtet agresor”.

Për t’i bërë më efektive sanksionet, Parlamenti bën thirrje që bankat ruse të përjashtohen nga sistemi SËIFT, që të gjitha anijet e lidhura me Rusinë të ndalohen të hyjnë në ujërat territoriale të BE-së dhe të ankorohen në portet e BE-së dhe për transportin rrugor të mallrave nga dhe në Rusi dhe Bjellorusia të ndalohet. Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu sekuestrimin e “të gjitha pasurive që u përkasin zyrtarëve rusë ose oligarkëve të lidhur me regjimin e Putinit, përfaqësuesve të tyre, si dhe atyre në Bjellorusi të lidhura me regjimin e Lukashenkos”.

Duke vënë në dukje përfshirjen e Bjellorusisë në luftën në Ukrainë, rezoluta kërkon që sanksionet ndaj Bjellorusisë të pasqyrojnë të jenë të njëjta me ato të vendosura ndaj Rusisë në mënyrë që të mbyllen çdo boshllëk që lejon Putinin të përdorë ndihmën e Lukashenkos për të anashkaluar sanksionet.

Deputetët u referohen mizorive tronditëse, “që në mënyrë të pamohueshme përbëjnë krime lufte”, të kryera nga trupat ruse në Ukrainë dhe veçanërisht në Bucha, si dhe shkatërrimin e plotë ose pothuajse të plotë të Mariupolit, Volnovakha-s dhe qyteteve dhe fshatrave të tjerë. Ata theksojnë se autorët e krimeve të luftës duhet të mbajnë përgjegjësi dhe bëjnë thirrje për ngritjen e një gjykate të posaçme të OKB-së për krimet në Ukrainë.

Parlamenti përsërit se dërgesat e armëve duhet të vazhdojnë dhe të rriten për të lejuar Ukrainën të mbrohet në mënyrë efektive. Eurodeputetët mbështesin ndihmën e mëtejshme mbrojtëse që u jepet forcave të armatosura ukrainase individualisht nga shtetet anëtare të BE-së dhe kolektivisht përmes Fondit Europian të Paqes.

Duke vënë në dukje se rreth 6.5 milionë qytetarë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit dhe më shumë se 4 milionë janë larguar jashtë për shkak të luftës, eurodeputetët bëjnë thirrje për korridore të sigurta humanitare për evakuimin e civilëve që ikin nga bombardimet dhe që rrjetet e ndihmës humanitare të BE-së në Ukrainë të përforcohen.

Ata dënojnë retorikën ruse se mund të përdorin armë të shkatërrimit në masë dhe theksojnë se çdo vendosje e tillë do të përballej me pasojat më të rënda.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë