Politike

Meta përplaset me PS edhe per rezolutën e PE. Presidenti: S’ka negociata pa zgjedhje të lira. Balla: S’ka kushte

Rezoluta e Parlamentit Europian ka qenë një tjetër shkak për përplasje mes Presidentit te Republikës dhe soialistëve në pushtet.

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur Projekt-Rezolutën për Shqipërinë, që u miratua këtë të enjte në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian.

Kreu i Shtetit, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, falenderon dy grupet e mëdha politike, që ofruan mbështetjen e tyre për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Ndër të tjera, presidenti Meta u bën thirrje shqiptarëve, që të mbrojnë me çdo çmim votën e lirë dhe të ndershme.

“Përshëndes Projekt-Rezolutën për Shqipërinë, që u miratua sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. I falënderoj të dy grupet e mëdha politike për mbështetjen e qartë të së ardhmes europiane të Shqipërisë, që kalon vetëm përmes përmbushjes së plotë të kushteve. Nuk ka negociata pa zgjedhje të lira dhe të ndershme! Nuk ka përparim pa u dënuar autorët e krimeve zgjedhore të dosjeve 339 dhe 184! Askush nuk do të amnistohet! Votën e lirë të 25 prillit, shqiptarët do ta mbrojnë me çdo çmim dhe nuk do të kursehen ndaj askujt, që do të guxojë të tjetërsojë vullnetin plebishitar”, përfundon presidenti Meta.

Por ndryshe nga Ilir Meta, socialistët kanë deklaruar se rezoluta nuk ka asnjë kusht për Shqipërinë. Përmes një postimi në Facebook, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka deklaruar se Shqipëria nuk ka as kushte as detyra për të plotësuar. “Sapo falenderova përmes një telefonate Raporteren për Shqipërinë zonjën Isabel Santos, teksa Komiteti i Politikës së Jashtme i Parlamentit Europian miratoi në parim (vazhdon votimi i amendamenteve – online) Raportin e përgatitur nga eurodeputetja Santos, ku i kërkohet Këshillit Europian “mbajtja pa humbur kohë e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare me Shqipërinë”, duke rikonfirmuar vlerësimin shterues të Komisionit Europian se Shqipëria nuk ka më as kushte dhe asnjë detyrë të papërmbushur që të lidhet me Konferencën”, është shprehur Balla.

Komisioni i jashtëm i Parlamentit Europian miratoi amendamentet e PPE që kanë propozuar për t’ju bashkangjitur rezolutës për integrimin e Shqipërisë në BE. Partitë e djathta europiane kërkojnë që shitblerja e votës të ndiqet penalisht në Shqipëri. Në këtë amendamente theksohet se zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021 do të jenë thelbësore për konsolidimin e demokracisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë