Futboll

Rikthehet Championsi, Simeone përplaset për herë të parë me Klop

Nga sot në mbrëmje fillon faza e 1/8-ve në Champions League, faza me eliminim direkt. Luhen dy ndeshjet e para të kësaj faze, ku kampionët në fuqi të Liverpulit vizitojnë Atletiko Madridin në “Wanda Metropolitan”, ndërsa Borusia Dortmund pret PSG-në në “Signal Iduna Park”.

Interesant është fakti se dy trajnerë të njohur si Diego Pablo Simeone dhe Jurgen Klop përplasen për herë të parë mes tyre. Janë dy trajnerë të stileve të ndryshme, të ideve të ndryshme për futbollin, me argjentinasin fanatik të një mbrojtjeje “spartane” dhe me gjermanin fanatik të futbollit sulmues. Gjithsesi, janë dy trajnerë me personalitet shumë të fortë, që vitet e fundit kanë pasur ndikim shumë të madh në skuadrat që kanë drejtuar. Ndeshja pritet të jetë e bukur, edhe pse në fazën me eliminim skuadrat përpiqen të gabojnë sa më pak.

Diego Simeone, trajneri i Atletiko Madrid. Gazeta Si, 18 shkurt 2020

Simeone nuk ka të gatshëm sot dy titullarë, sulmuesin portugez Zhoao Feliks dhe mbrojtësin anglez Tripier, por edhe meksikanin Herrera. Te Liverpuli mungojnë Xherdan Shaqiri dhe Klajn, të cilët gjithsesi nuk janë titullarë në formacionin e kampionëve në fuqi të Europës.

Futboll më sulmues pritet të luhet në Dortmund, ku ndeshen dy skuadra tërësisht sulmuese. Borusia vjen në ndeshjen me PSG-në pa kapitenin Marko Rojs dhe pa Julian Brand, kurse për francezët mungesa e vetme me peshë është ajo e argjentinasit Paredes. PSG është në përpjekjen e radhës për t’i shkuar deri në fund trofeut të ëndërruar gjithë këto sezonet e fundit. Nesër luhen dy ndeshjet e tjera të fazës së 1/8-ve, Atalanta-Valencia dhe Totenhem-Lajpcig.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë