Nëse do të bëjmë një kërkim të thjeshtë për fjalorin politik të politikanëve zgjedhjet e kaluara parlamentare, do të shikojmë me lehtësinë më të madhe se fushata e 2017-ës ishte dendur e mbushur me etiketime të tilla si hajdut votash e deri tek kazani, tepsia, timoni, tigani…etj.
Për lehtësinë e batutës, e që shqiptarët fort qejf i kanë, etiketime të tilla (për fatin e keq) mbizotëruan zgjedhjet e 2017-ës.
Ende pa filluar fushata për zgjedhjet e 25 prillit, historia përsëritet.
E nis Edi Rama siç ka qejf ta përshkruajë punën e kundërshtarit përmes batutash (se fundja ato ngjisin dhe mbesin në mendje) për të kaluar më pas tek qëndrimet figurative të Presidentit Ilir Meta e deri tek Lulzim Basha për të nxjerrë edhe ky i fundit një tipar që në fakt nuk e ka.
Paraditen e së enjtes, shfaqjen gaztore e hapi kryeministri Rama, i nxitur nga disa takime të Lulzim Bashës me bizneset ne Durrës, i cili përpiqej të shpjegonte se mazhoranca duhet të kooptonte planin e rimëkëmbjes së PD-së gjatë pandemisë.
“Programi i Lulit është një tramvaj me shalqi që nuk piqen kurrë, me Ilirin makinist, Monikën fatorino, Saliun shkarkues gazrash dhe vetë Lulin pasagjer VIP”, komentoi shkurt Kryeministri në Twitter.
Karremin e Ramës e ha Presidenti Ilir Meta.
“Profeti i kokoshkave t’i lërë batutat bajate dhe të respektojë çdo pikë e presje të Marrëveshjes Historike të 5 Qershorit.
Shefin e pakicës së pakicës, nuk ka formulë e marifet që e shpëton nga data 25 prill”, thotë Meta, duke bërë me faj për këtë situatë vetë opozitën.
“Por fajin për këtë situatë të rëndë psiqike, prapë e ka Opozita e Bashkuar. Se ajo e mësoi keq duke ja lënë fushën bosh për të kapur 100% të pushteteve”, shkruan Meta.
Edhe Lulzim Basha i bashkohet ansamblit
“Gërrvërret prej palaçoje nuk e mbulojnë dot dështimin tënd dhe krizën ku i ke zhytur njerëzit. Pas çdo gërrvërri ti fsheh vjedhjet e qeverisë prej miliona eurosh, si mbrëmë me inceneratorët. Para që duhet të shkojnë te shëndetësia, të papunët, pensionistët e biznesi në krizë”, shkruan Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje