Futboll

Rilindja e futbollit bask, Bilbao dhe Sociedad në krye të La Ligas

Numrat nuk gënjejnë. Në futboll shpesh thonë shumë, si në këtë rast në Spanjë, në një nisje rekord për dy klubet baske, Atletiko Bilbao dhe Real Sociedad, që mbajnë vendet e para. Atletiko Bilbao ishte në krye deri pak ditë më parë, por u kalua nga Real Madrid dhe pas fitores së fundit të Real Sociedadit ndaj Alaveshit ka zbritur në vend të 4-t. Tashmë është Sociedadi në vend të dytë, pas Real Madrid.

Kështu, numrat japin shumë shpresë për dy skuadrat baske. Atletiko Bilbao ka mbrojtjen më të mirë në kampionat, vetëm 2 gola të pësuar, që do të thotë njëkohësisht edhe një ndër mbrojtjet më të mira të kampionateve kryesore në Europë (pas Interit me një gol të pësuar). Një e dhënë mjaft interesante, sepse pas 6 javësh kampionat, prej gati 40 vjetësh Bilbao nuk pësonte kaq pak gola. Që prej vitit 1993, Atletiko Bilbao nuk gjendej në vendet e kreut. Që kur drejtimin e ka marrë 44-vjeçari Gaizka Garitano, më 4 dhjetor 2018 (30 ndeshje kampionat), Atletiko është mbrojtja e dytë më e mirë në la Liga (24 gola të pësuar) dhe është skuadra e 4-t për pikë të grumbulluara, pas Barcelonës Realit dhe Valencias. Në “San Mames”-in e ri nuk humb prej 17 ndeshjesh, që nga 5 tetori 2018, në derbin me Real Sociedad. Nuk ndodhte kjo gjë prej 29 vitesh.

Raul Garsia dhe Injaki Uilliams të Atletiko Bilbaos. Gazeta Si, 27 shtator 2019

Është pa diskutim meritë e trajnerit Garitano, i cili është i biri i Angel, për një kohë të gjatë zëvendësi i Mané në stolin e Bilbaos në sezonet 2005-07, dhe nipi i Ander, ish-mesfushor i këtij ekipi në vitet 1988-1996. Gaizka është rritur te moshat e Lezamas dhe më pas ka luajtur me Eibarin dhe Real Sociedadin. Si trajner e ka nisur me Eibarin, për të vazhduar me Valadolidin dhe Deportivo La Korunjën, për t’u kthyer në shtëpi. Në verë nuk u shqetësua aspak që klubi nuk bëri asnjë blerje, madje lejoi largimin e Iturraspe për tek Espanjoli dhe Merino te Leganes.

Garitano, trajneri i Atletiko Bilbao. Gazeta Si, 27 shtator 2019

Trajneri i Atletiko Bilbaos ka fiksuar skemën 4-2-3-1, një rreshtim shumë i kujdesshëm, me mbulimin zonal, e udhëhequr nga lojtari i kombëtares spanjolle Injigo Martinez, dhe nga dy anësorët Juri dhe Kapa (3 asiste) në një moment të jashtëzakonshëm. Rolin e liderit e ka marrë 33-vjeçari Raul Garsia, ish-lojtar i Atletiko Madrid, autor i 4 golave këtë sezon. Në majë të sulmit është i riu “veteran” Injaki Uilliams, lojtari i parë me ngjyrë në historinë e klubit. Ka lindur në Bilbao nga prindër ganezë dhe të gjithë e thërrasin “pannolino”, sepse është shumë i lidhur me familjen. Është edhe Iker Muniain, 26-vjeçari me 10 vjet përvojë në La Liga.

Po Real Sociedadi? Është ekipi më i ri në moshë në La Liga, me një moshë mesatare prej 25 vjetësh. Mban vendin e dytë dhe deri tani ka humbur vetëm një ndeshje, derbin me Atletiko Bilbaon, më pas ka mundur Atletiko Madridin, Espanjolin dhe Barcelonën. Një fillim i tillë mbresëlënës nuk ndodhte që prej sezonit 2002-03, me francezin Denua në stol dhe Karpin, Nihat dhe Kovaçeviç në fushë. Atë vit Real Sociedad zuri vendin e dytë në kampionat. Tani “timonin” në San Sebastian e ka Imanol Alguakil, 48 vjeç, 8 vjet mbrojtës krahu me Sociedadin, pastaj me Villarrealin. Karrierën e trajnerit e ka nisur tek akademia e klubit, pastaj te skuadra B dhe që prej dhjetorit të shkuar në krye të skuadrës së parë.

Real Sociedad feston një gol. Gazeta Si, 27 shtator 2019

Këtë sezon Sociedadi u ka besuar të rinjve. Ka marrë nga Borusia Dortmund Aleksander Isak, një sulmues 20-vjeçar, 14 gola sezonin e shkuar në Holandë, ku ishte i huazuar. Ai luan në krah të Oiarzabal, 22-vjeçarit që bën pjesë në kombëtaren spanjolle, kampion me U-21-shin në qershor. Edhe ai ka shënuar 14 gola sezonin 2018-19. Pastaj janë edhe 20-vjeçari norvegjez Odegaard, i huazuar nga Real Madrid në Holandë, te Herenven dhe Vitese, dhe ish-lojtari Mançester Junajtid, Adnan Januzaj. Pranë “chicos” (çunakëve), trajneri Imanol ka vendosur disa ekspertë si ish-lojtarin e Arsenalit Naço Monreal, sulmuesin brazilian Uillian Jose (27 vjeç), portierin Moja (35 vjeç) dhe kapitenin Iarramendi. Një miks që po funksionon për bukuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë