Politike

Ristani: 11 dhjetori fillimi i procesit, kryetari do të zgjidhet me parimin “një anëtar një votë”

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka sqaruar hapat që do të ndiqen për zgjedhjet e reja në parti pas 11 dhjetorit.

Në një prononcim për mediat nga Korça, Ristani theksoi se zgjedhjet e reja do të bëhen përmes parimit “një anëtar një votë”.

“Tashmë është e sigurt që në datën 11 kuvendi i PD i thirrur nga mbi 1/4 e anëtarëve do të mblidhet për të ndryshuar statutin e PD, për të shqyrtuar veprimtarinë antistatutore të kryetarit të PD dhe për të rifutur në statutin e PD dispozita të cilat do të bëjnë të mundur mbajtjen e referendumeve në PD.

Është dorëzuar para disa kohësh siç jeni në dijeni, mbi 4200 firma të anëtarëve të kuvendit të PD, firmat janë në masë të mbledhura nga anëtarët e kuvendit, sigurisht me vullnetin e plotë të tyre. Janë dorëzuar në zyrat e këshillit kombëtar të PD, kanë qenë të hapur për median e për çdo të interesuar për tu verifikuar.

Nga ana tjetër keni deklarime të përditshme të anëtarëve të kuvendit nga degë të ndryshme të PD, shembuj të deputetëve të cilët kanë shkuar për ti verifikuar këto firma kështu që është jashtë çdo dyshimi që firmat janë me vullnet të plotë. PD vepron në kushte të sovranitetit të saj, është vullneti i anëtarëve jo vetëm të kuvendit por të të gjithë PD, për të zgjedhur atë që ata mendojnë se e drejtojnë drejt fitores dhe prosperitetit”, tha Ristani.

Ai shtoi se Kuvendi i 11 dhjetorit nuk është mbyllja e procesit por fillimi. “Pas kuvendit do të ketë zgjedhje në të gjitha degët e PD, dhe zgjedhje të kryetarit të PD me sistemin një anëtar një votë. Thashë kjo mbetet në vullnetin e anëtarëve të PD.

Ndërkohë zoti Berisha është tërësisht i lirë në vullnetin e tij, për të ofruar punën e tij dhe mundësitë e tij për PD. Për mendimin tim kuvendi i vetëm është ai i vullnetit të anëtarësisë të PD i cili do të mblidhet në datën 11. Kini parasysh demokracia është vullneti i shumicës dhe shumica do të mblidhet në datë 11.

Kini parasysh se do të shohim se si shumica e anëtarëve të Kuvendit të PD në dt 11 do të mblidhen, nuk mund të ketë një kuvend tjetër sepse nuk mund të krijohet një shumicë tjetër për datën 18. Nuk do të ketë në 18 një kuvend, të paktën jo një kuvend shumice”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë