Gazeta Si – Kanë përfunduar zgjedhjet për kryetar në 18 degët e Partisë Demokratike të mbajtura nga Komisioni i Rithemelimit këtë të diel, sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”.
Procesi i votimit u hap në orën 8.00 të mëngjesit dhe u mbyll në orën 18.00 në Cërrik, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, Përmet, Tepelenë, Pogradec, Kukës dhe disa degë në qarkun e Tiranës si Kamzë dhe Kavajë.
Pas numërimit të fletëve të votimit të demokratëve, në Paskuqan u shpall fitues Anton Pjetërnikaj, një prej emrave të cilët u shkarkuan nga Lulzim Basha, pasi u rreshtua si përkrahës i ish-kryeministrit Berisha, në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit.
Në kryeqytet, anëtarësia e degës 6 votoi Onelda Zefin si kryetare dege, në degën 10 grumbulloi më shumë vota Andi Beliu, në degën 11 fitues u shpall Shkëlqen Mustafa, në degën 13 Arsen Valisi grumbulloi 61% të votave, ndërsa në degën 16 rezultatin më të lartë të votave e shënoi Eduard Rexha.
Në Skrapar, 69 për qind të votave të demokratëve i siguroi Hajredin Bakiasi, ndërkohë që në Kuçovë mes dy kandidaturave për kryetar dege, demokratët votuan emrin e Myslim Haxhi me 57% të votave.
Në Elbasan garonin pesë emra për kryesimin e selisë së Partisë Demokratike, por shumicën e votave e siguroi Blendi Himçi.
Në Tropojë rezultatin më të lartë e siguroi Besnik Dushaj me më shumë se gjysmat e votave të anëtarësisë.
Eris Shehaj u zgjodh kryetar i degës së Partisë Demokratike në Gjirokastër. Ai mori 348 vota përballë 268 votave që grumbulloi kandidati tjetër Daniel Sino.
Kryetar i PD-së, dega Përmet u shpall Arson Kleanthi Lipe me 81 % të votave. Në Tepelenë, kryetar i degës së të djathtëve u shpall Malo Hydai Sadikaj me 87% të votave.
Kryetar i degës së PD-së në Memaliaj u shpall Bujar Pasho Kapllani me 87.7% të votave. Procesi i numërimit të votave vazhdon ende në katër degët e tjera.
Aktivisti Genti Çela do të jetë kryetar i degës në Pogradec. Çela ka marrë 379 vota. Garë e ngushtë dhe e fortë ka qenë midis tij dhe Kasem Gallës, i cili ka marrë vetëm 67 vota më pak, specifikisht 312 vota.
Kryetarja e PD-së në Sarandë, është zgjedhur Manjola Nikollo, e cila ka marrë 450 vota.
Në Vlorë, garën për kryeta të degës së PD e ka fituar Atird Hoxha. Në garë kanë qenë 4 kandidatë, ku Hoxha ka marrë 535 vota.
Nga sot Partia Demokratike Kukës do të drejtohet nga Admir Sinamati, i shpallur fitues me 669 vota. Ai garoi i vetëm, pasi kandidati Irel Elezi, një ore pas fillimit të procesit u tërhoq nga gara. Sinamati u zgjodh me 669 vota, ndërsa rivali i dorëhequr Irel Elezi mori 58 vota.
Pak pas nisjes së zgjedhur për kryetarin e degës së Partisë Demokratike në Kukës, kandidati Irel Elezi është tërhequr nga gara.
Elezi pretendon se lista e anëtarësisë e vënë në dispozicion nga Komisioni i Rithemelimit ka mangësi të anëtarëve të hershëm të kësaj force politike dhe emra të rinj duke e cilësuar manipulim të procesit.
Një ditë më parë Komisioni i Rithemelimit zhvilloi zgjedhjet në disa degë të Partisë Demokratike, konkretisht në Kuçovë, Skrapar, Elbasan, Tropojë dhe në 4 degë të Tiranës.
Procesi i zgjedhjeve të brendshme në PD është kundërshtuar nga grupimi që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, si një proces i njëanshëm dhe përçarës.
Për këtë qëllim, ky i fundit prezantoi të shtunën një platformë, ku ndër të tjera propozohej edhe ndërprerja e procesit të riorganizimit në PD në bazë, deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes palëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje