Futboll

Roma e re, Kumbulla duhet të bindë Mourinjon për mbrojtjen me 4

Të paktën 3 blerje të rëndësishme, lojtarë që bëjnë diferencën. Ndoshta do të duhen edhe 4, nëse Roma dhe Xheko ndahen në fund të sezonit. “Blerja” e parë e Romës së Mourinjos do të jetë Nikolò Xaniolo, i cili do të marrë një vend në skemën 4-2-3-1 të portugezit. Xaniolo do të luajë në të djathtë për të depërtuar në qendër dhe për të sulmuar hapësirën. Roma e re nis prej tij. Edhe pse për të dizenjuar objektivat dhe strategjitë e saj është herët, një ide mund të krijohet.

Roma do të kthehet te 4-2-3-1, moduli që ka përdorur më shumë vitet e fundit, me Spaletin, Di Françeskon dhe Fonsekën, që këtë sezon ndryshoi në 3-4-2-1. Filozofia e Mourinjos mbetet e njëjtë: në pritje të kundërshtarit, skuadër kompakte në 35 metrat e fundit, që godet papritur në kundërsulm. Kontrollin e topit shpesh e ka kundërshtari, presing për rikuperimin e topit në momente kyçe dhe pastaj vertikalizim për sulmuesit, duke shfrytëzuar maksimalisht gjerësinë e fushës.

Xaniolo dhe Xheko. Gazeta Si, 5 maj 2021

Në fakt, me Mourinjon vrapohet shumë edhe në krahë, me mbipozicione të mbrojtësve. Organizimi në mbrojtje është i rëndësishëm dhe golat e pësuar janë pak, ekzakt siç portugezi i do skuadrat e tij, të forta nga pikëpamja fizike dhe atletike. Roma do të dizenjohet në bazë të këtyre principeve, siç ka ndodhur me Interin, Real Madrid, Çelsin, Mançester Junajtid dhe Totenhemin.

Nga organika aktuale janë disa lojtarë që duken “të prerë” për futbollin e Mourinjos. Xaniolo është një nga ata që “Special One” donte ta merrte në Londër verën e kaluar. Është një nga lojtarët që e konsideron perfekt për cilësinë, forcën fizike dhe shpërthimin. Tredhëmbëshi i trekuartisëve duhet të përbëhet nga Xaniolo, Pelegrini në qendër dhe Mkhitarian në të majtë, edhe pse me armenin portugezi është zënë kur drejtonte Mançester Junajtid. Mund të kthehet Under, që Mou e donte te Totenhemi, dhe do të ishte një alternativë e mirë.

Kumbulla feston me Ibanjez golin ndaj Kluzh. Gazeta Si, 5 maj 2021

Në prapavijë, Karsdorp dhe Spinacola do të kthehen në linjat e mbrojtjes me 4, në qendër pritet të luajnë Mançini dhe Smolling, ndërsa Kumbulla dhe Ibanjez do të qëndrojnë në stol. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, si te Verona, ashtu edhe te Roma me Fonsekën, ka luajtur në mbrojtjen me 3, megjithatë koha do të tregojë, nëse Mourinjo do t’i besojë apo jo. Në mesfushë, Veretu është i paprekshëm, ndërkohë që Mourinjo pëlqen edhe Vilarin dhe Kristanten.

Në merkato do të besohet shumë te Jorge Mendes, agjenti historik i Mourinjos. Ai pritet të ndihmojë Romën për të sistemuar edhe shumë lojtarë që nuk i nevojiten më. Në skuderinë e Mendes pastaj janë disa lojtarë, që kanë profilin e duhur për Romën, si portieri Rui Patricio, për të vazhduar me Erik Dajer dhe Pierr-Emil Hojbjerg. Dajer është mbrojtës qendre dhe atij Mourinjo i besonte nisjen e aksionit nga poshtë, por është në gjendje të japë edhe topa të gjatë për sulmuesit.

Erik Dajer, një nga të preferuarit e Mourinjos. Gazeta Si, 5 maj 2021

Hojbjerg është barometri para mbrojtjes. Mesfushori qendror danez u kërkua me forcë nga Mourinjo një vit më parë dhe Totenhemi shpenzoi 16 milionë euro për ta marrë nga Southamptoni. Tani portugezi mund ta kërkojë te Roma për t’i dhënë ekuilibër mesfushës. Nga Totenhemi mund të vijë edhe sulmuesi brazilian Karlos Vinicius, që ka agjent Mendesin. Mourinjo pëlqen edhe mesfushorin austriak Sabitzer, që luan me Lajpcigun. Mund të bashkohet me Romën edhe njëri mes Matiç dhe Matës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë